Themelet politike të Kosovës

Si Kosovë, para dhe mbi të gjitha, ne duhet të tregohemi që jemi pjesë e zgjedhjeve të telasheve në këto anë të Evropës, e jo prodhues të problemeve, si në skenën politike vendore, ashtu edhe në atë dimensionin që përkon me stabilitetin rajonal.

Opinion

28/09/2016 10:53

Nuk varet Bota prej nesh. Po ne, gjithsesi varemi prej saj. Natyrisht, do të dëshironim të vareshim dhe të ndikoheshim, mbi të gjitha prej Perëndimit, apo prej SHBA-së dhe Evropës, sepse e shohim veten si pjesë të Perëndimit dhe të Evropës.

E gjithë historia e jonë, si ajo e moçmja, ashtu edhe e reja, që nisë me bërjen e shtetit të Shqipërisë, dhe që kulminon me krijimin e shtetit të Kosovës, dëshmon këtë lidhjen e drejtpërdrejtë në mes të kontekstit dhe kornizës historike dhe politike ndërkombëtare dhe fatit tonë, si shqiptarë të Kosovës.

Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, si popull, nuk lamë gjë pa bërë, çka ishte në duartë tona, për të vendosur për fatin tonë. Këto ditë shënuam edhe një çerek shekulli nga mbajtja e Referendumit të vitit 1991, i cili ishte një tjetër akt sipëror që dëshmonte për vullnetin politik për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. I bëmë pra, të gjitha veprimet e duhura politike, ligjore, më në fund edhe ushtarake, pas themelimit të UÇK-së, për të mbërritë në cak, për të cilin u bë edhe sakrifica më e lartë, ajo që njeh mbi 13 mijë martirë dhe dëshmorë.

E tëra kjo çka bëme ne në ato vite, në një Lëvizje politike dhe ushtarake që njëmend ishte shembull në gjithë atë lëmshin e përgjakshëm të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, nuk do të mjaftonte, sikur të mos bënim për vete Perëndimin, në radhë të parë SHBA-në, por edhe sikur ai konteksti ndërkombëtarë, nuk do të ishte i volitshëm për ne.

S’ka dyshim, duhet përsëritur edhe një herë, që ne vetë i bëmë themelet e çlirimit dhe pavarësimit, por kjo ‘godinë’ do të mbetej e papërfunduar, nuk do ta merrte kurrë atë trajtën e shtetit të Kosovës  (të shtëpisë për një popull të tërë), sikur Perëndimi të mos na mbështete në të gjitha mënyrat, duke nisë me politikë dhe me diplomaci, duke përfunduar me intervenimin ushtarak të Paktit NATO, në pranverën e vitit 1999.

Secili prej nesh mund të thotë këtu që kjo është një histori e njohur për të gjithë ne. Por ta zëmë, në këtë vjeshtën e vitit 2016, nuk mund të pohohet që këtë mësim e mbajmë në mend si duhet.

Me debatin e parë presidencial të këtyre ditëve, midis dy pretendentëve, Hillary Clinton dhe Donald Trump,  për postin politik më të rëndësishëm në Botë,  (atë të Presidentit të SHBA-së), po ndodhë finalja e fushatës presidenciale në Amerikë.

Këtu, natyrisht, jemi vetëm vëzhgues të një ngjarje, e cila, në nëntorin e këtij viti, kur të bëhet e njohur se kush do të jetë trashëgimtari i Presidentit Obama, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për Botën, Evropën dhe Kosovën. Gjithsesi pra do të ndikohemi nga fakti kush do t’i prijë Amerikës tash e tutje. Mbase, për dhjetëra vjet në të kaluarën, zgjedhja e Presidentit të ri amerikan nuk ka pasë kaq peshë dhe kaq rëndësi si kësaj here, për shkaqe të njohura për të gjithë.

Por, ashtu si edhe në atë periudhën më të lavdishme të historisë sonë të re, (e cila u përmend më parë), edhe ne mund dhe gjithsesi duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë, për tu përgatitur për vitet më të rënda të BE-së dhe të Perëndimit, që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë e këndej. Nuk ka dyshim që viti 2017 do të jetë më problematiku që prej atij 1989-të.

E para, dhe mbase më e rëndësishmja për ne, për sjelljet tona në Kosovë, për porositë që i dërgojmë në Botë prej këtu, është që të mos bëjmë marrëzira. Në këtë aspekt, duket që kryeparimi i Presidentit Obama, në dy mandatet e tij, në politikën e jashtme të SHBA-së, i rrinë fare mirë interesit nacional të Kosovë. Obama pari thënë që parimi për të mos bërë marrëzira (në politikën e jashtme), ka qenë udhërrëfyesi i tij.

Si Kosovë pra, para dhe mbi të gjitha, ne duhet të tregohemi që jemi pjesë e zgjedhjeve të telasheve në këto anë të Evropës, e jo prodhues të problemeve, si në skenën politike vendore, ashtu edhe në atë dimensionin që përkon me stabilitetin rajonal.

Si Kosovë pra, gjithsesi duhet të dëshmojmë që drejtimin që kemi marrë, si politikë dhe si shoqëri, qysh në vitin 1989-të  (kur u krijuan partitë e para në kuadër të ‘Alternativës Kosovare’), nuk e kemi ndërmend ta ndryshojmë, as të debatojmë madje.

Ekzistenca e shtetit të Kosovës, orientimi Perëndimor i këtij shteti dhe kësaj shoqërie, demokracia liberale si organizim i qeverisjes, nuk mund të jenë çështje diskutimi ndër ne.