Thaçi: Të rinjtë kosovarë, së shpejti të barabartë me evropianët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar të rinjtë në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, duke thënë se Kosova ka të rinj dhe të reja shumë të talentuar, me plot energji për të punuar për vendin e tyre.

Lajme

12/08/2018 14:34

Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, po ashtu ka thënë se së shpejti do të liberalizohen vizat dhe të rinjtë e Kosovës do të kenë mundësi të barabarta me ata evropianë.

Postimi i plotë i Thaçit: 

“Kosova ka të rinj dhe të reja shumë të talentuar, me plot energji për të punuar për vendin e tyre. Dita Ndërkombëtare e Rinisë, 12 Gushti, sivjet na gjen në një pozitë më të mirë të të rinjve dhe me një përkushtim më të madh të tyre për njëri-tjetrin, përkundër që ende jemi larg asaj që ata kanë nevojë dhe ne duam. Tash jemi në prag të liberalizimit të vizave për qytetarët tanë dhe të rinjtë kosovarë së shpejti do të kenë mundësi të barabarta sikurse të gjithë të rinjtë tjerë evropianë. Rinia është forcë e ndryshimeve pozitive në çdo shoqëri dhe fatmirësisht këtë vit edhe ne kemi pasur dinamikë të shtuar të të rinjve për pjesëmarrje në vendimmarrje, por edhe aktivizim më të madh të tyre për t’i bërë vetë ndryshimet që ata i duan”, ka shkruar Thaçi.