Thaçi për AP: S’ka ftohje të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe popullit të Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për “Associated Press”, se marrëdhëniet Kosovë-SHBA nuk janë ftohur.
Lajme
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të enjten për “Associated Press”, se mendon që është një “momentum i mirë”, këtë vit, për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Kosova feston çdo vit përvjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt 2018.
Kosova është e njohur nga 116 vende, shkruan “AP”, por jo edhe nga vendi prej të cilit e ka shpallur pavarësinë në mënyrë të njëanshme, Serbia.
Kosova është një tregim suksesi, thotë presidenti Hashim Thaçi në një intervistë dhënë “Associated Press”, transmeton lajmi.net.
“Pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi.
Thaçi përmendi përkrahjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, si dhe zotimin e Rusisë për të pranuar një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
“Kemi shumë sfida përpara, të cilat duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut me Serbinë, që filloi në vitin 2011, i ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha ai.
Sidoqoftë, bisedimet kanë ngecur. Vitin e kaluar, Kosova vendosi një taksë prej 100% për produktet e Serbisë, derisa Beogradi t’ia njohë asaj sovranitetin dhe derisa Beogradi të mos e pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Serbia ka thënë se kjo tarifë po i kushton shumë bizneseve të saj dhe se nuk do të marrë pjesë në dialog deri kur të hiqet kjo masë.
Thaçi ka inkurajuar qeverinë e tij që ta suspendojë përkohësisht këtë tarifë, duke thënë po ashtu se Serbia nuk duhet ta kushtëzojë me të dialogun.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë bërë thirrje për heqjen e tarifës. Prishtina, deri më tash, nuk i është përgjigjur kësaj thirrjeje.
Kryeneçësia e Kosovës duket se ka zemëruar Uashingtonin, partnerin më të madh strategjik të Kosovës. Një gjeneral i ushtrisë, i cili pritej ta vizitonte Kosovën për nder të përvjetorit të 11 të pavarësisë, e anuloi udhëtimin e tij.
“Megjithatë, nuk ka ftohje (nga SHBA) ndaj Kosovës si një vend ose ndaj popullatës së saj”, ka thënë Thaçi.
Këtë ai e ka thënë duke e kanalizuar pakënaqësinë amerikane vetëm ndaj vendimeve qeveritare. /Lajmi.net/