Ushtria izraelite ka thënë se janë të përgatitur për konfrontime të mëtejme sot.
Por, grupet palestineze kanë lënë të kuptohet se ata do të ndërpresin protestat, raporton BBC.
Protestat e 14 majit u zhvilluan në kohën kur Shtetet e Bashkuara hapën amabsadën në Jerusalem.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se në protestat e 14 majit, po ashtu janë plagosur 2,700 persona.
Izraeli ka njoftuar se 40 mijë palestinezë morrën pjesë “në trazirat e dhunshme”, ndërkaq, kryeministri Benjamin Netanyahu mbrojti vendimin për të përdorur forcë, duke thënë se “çdo shtet e ka për obligim që të mbrojë kufinjtë e tij”.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah ka thënë se “përgjegjësia për këto vdekje tragjike bie te Hamasi”.
“Hamasi qëllimshëm dhe me cinizëm ka provokuar këtë përgjigje”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara hapën ambasadën në Jerusalem në 70-vjetorin e shtetit të Izraelit.
Presidenti i Autoritetet Palestinez, Muhamud Abbas, ndërkaq, ka dënuar përdorimin e dhunës, duke e quajtur këtë ngjarje si “masakër” të kryer nga forcat izraelite dhe ka shpallur tre ditë zie.
Protestat e 14 majit ishin më të përgjakshmet që prej luftës në Gaza më 2014. Ato ishin pjesë e protestave që palestinezët kanë organizuar për gjashtë javë me radhë, që i kanë quajtur “Marshi i Madh i Rikthimit”, pasi palestinezët dëshirojnë të kthehen në territoret, që tashmë i takojnë Izraelit.
Ndërkaq, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar forcat izraelite për “gjenocid” ndërkaq Izraeli ka thënë se është “shtet terrorist”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet që të mblidhet për të diskutuar për dhunën në Gaza.
Mbledhja është thirrur nga Kuvajti, por ende nuk është e qartë çfarë vendimi pritet të merret në këtë mbledhje.
Shtetet e Bashkuara bllokuan një deklaratë të propozuar nga Kuvajti, në të cilën kërkohej “hetim i pavarur dhe transparent”, për protestat vdekjeprurëse në Gaza.
Në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se e njeh Jerusaleminkryeqytet të Izraelit, vendim ky që nxiti reagime të shumta.
SHBA vendosi veton mbi një rezolutë në Kombet e Bashkuara, ku kërkohej që Trump të anulonte vendimin e tij për njohjen e Jerusalemit kryeqytet të Izraelit.
Palestinezët thonë se Jerusalemi Lindor do të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm.