Teatri i Pejës nuk i paguan borxhet ndaj artistëve

Teatri i “Istref Begolli” në Pejë, është në hall me borxhe ndaj regjisorëve qysh nga viti i kaluar. Shfaqja “Nata e Helverit”, nga regjisori Ben Apolloni, nuk është paguar akoma që nga 30 qershori i vitit të kaluar, kur është dhënë premierë në këtë teatër.

ShowBiz

13/04/2014 15:18

Regjisori Ben Apolloni ka thënë për KosovaPress se marrëveshja ka qenë e mirëfilltë dhe se shumë herë i ka shkruar drejtorit të Teatrit, por nuk ka marrë përgjigje.

Ai madje thotë se nëse nuk përfundon obligimi ndaj tyre, do të vazhdojë me procedura ligjore.

“Marrëveshja ka qenë si çdo marrëveshje-kontratë tjetër. Ne kemi bërë kontratë me drejtorin e Teatrit të Pejës. Unë i kam shkru disa herë drejtorit dhe e kam pyetur për punë të pagesës, por ai as që më është përgjigjur”.

“Aktorët e shfaqjes janë takuar disa herë me njerëzit përgjegjës për kulturë Pejë, dhe vazhdimisht u është thënë se do t’i kryejnë obligimet së shpejti. Unë vërtetë nuk po i kuptoj se çfarë po bëjnë ata njerëz. Nëse nuk i kryejnë obligimet që kanë ndaj nesh, do t’i hedhim në gjyq, sepse edhe në kontratë shkruan qartë që për mos respektim të kontratës çështja kalon në gjykatë”, ka thënë ai.

E drejtori i këtij teatri, Nimon Muçaj ka thënë për KosovaPress se çdo kontratë, qoftë me regjisorin, qoftë me trupën teatrale, e ka përpiluar në bazë të marrëveshjes që ka bërë me qeverisjen e atëhershme komunale.

E tani, ai vazhdimisht kërkon nga drejtoria aktuale komunale (LDK) që ajo pagesë të bëhet sa më parë.

“Tash unë vazhdimisht te drejtori komunal i Kulturës kam kërkua që ky buxhet sa më përpara të jetë në xhirollogarinë e Teatrit, në mënyrë që unë të realizojë pagesën”, ka thënë ai.

Ai thotë se çdo herë nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e kësaj Komune kërkon të bëhet pagesa, por asnjëherë nuk merr ndonjë përgjigje të prerë.

Engelbert Zefaj, drejtori i Drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë për KosovaPress se mbetet të verifikohet se a ka qenë çdo gjë ligjore dhe se a ka shkuar çdo gjë përmes një marrëveshje të mirëfilltë.

“Ka shumë gjëra që duhet të vlerësohen në qoftë se janë shkelur procedurat, rregullat, atëherë ne me keqardhje duhet të themi që ne nuk e marrim përsipër atë borxh”, ka thënë ai.

Zefaj vlerëson se vitin e kaluar shumë vendime për subvencione janë bazuar mbi interesa zgjedhore.

Sipas tij, nuk është vetëm shfaqja e Ben Apollonit ajo që nuk është paguar ende, por edhe ndaj shfaqjes së Enver Petrovcit nuk është kryer obligimi.