Të humbur në kohë dhe në hapësirë

Politika e sotme kosovare, ka nisë ta mëdyshë të kaluarën e vet, ajo ka vënë në pikëpyetje të madhe çka duhet me ndodhë me këtë vend, dhe ka humbur orientimin në kohë dhe në hapësirë.

Opinion

26/10/2016 10:56

Kur neurologun e shquar anglez, Oliver Sacks-in, e pyetën se si mund ta definojë ai njeriun normal, apo, cilat cilësi duhet një njeri t’i ketë për tu klasifikuar si normal, ai u përgjigj në këtë mënyrë:

‘Për mua nje qenie njerëzore është normale, nëse di ta rrëfejë tregimin për veten. Kjo do të thotë që ai di se si ka mbërri këtu ku është, ai është dikush që e njeh fare mirë të kaluarën, ai poashtu gjindet mirë në kohë. Ai për më shumë, di t’i planifikojë zhvillimet në të ardhmen. Ky njeri, më në fund, i njeh edhe kufizimet e veta’.

Kaq është puna kur bëhet fjalë për një njeri normal. E si është puna për një shoqëri, apo, edhe për një skenë politike, nëse këtu e marrim si shembull politikën kosovare, e cila me ‘letra’, si thuhet, po përballet tash e një vit, me sprovën e normalitetit, si njërën prej temave të veta kryesore.

Qeveria dhe opozita, partitë dhe entitetet kryesore politike në vend, pra, janë të përfshirë në një debat të vazhdueshëm në kërkim të definim të gjendjes normale në politikën dhe në shoqërinë kosovare.

Imponimi i gazit lotësjellës si ‘Pikë’ të vetme në Agjendën e seancave të ndërprera dhe të dështuara parlamentare, e dyzuar me dhunën e ‘koktejeve’ të ndryshme në sheshin para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, për muaj të tëri anuloi a suspendoi edhe idenë më të zbehtë të normalitetit në politikën kosovare.

Pati edhe skena tragji-komike kur brenda një kohe fare të shkurtër, në atë hapësirën para Kuvendit, pati parakalim të Mbretit Abdullah (të Jordanisë), dhe të Presidentes Jahjaga, para Gardës ceremoniale të FSK-së, dhe më pas turr dhe vrap të policisë e demonstrueseve jashtë, dhe të deputetëve brenda, në ikje nga gazi lotësjellës dhe të ‘koktejeve’ të ndryshme.

Kaq ishte puna sa i përket normalitetit në Kosovë. Në ndërkohë, disi u tejkalua kjo fazë kur normaliteti ishte kategori politike për një tallje të përgjithshme, dhe hymë në një tjetër periudhë kur u pa që kjo politika e jonë, nuk po arrinë, kështu si është, t’i dëshmojë vetes, qytetarëve të vendit, dhe mbarë Botës, ku është në të vërtetë kufiri i Kosovës me Malin e Zi. Nuk ka mbetë kush pa folë për këtë kufi.

Tek ne zatën, në futboll, në politikë, në gjeografi e kufi, e mos të flasim në histori, të gjithë jemi ekspertë. I dimë të gjitha. Pasi të gjithë e dimë ku është kufiri i Kosovës me Malin e Zi, ka mbetë veç edhe ta bindim Malin e Zi dhe Bashkimin Evropian ku është ky kufi, dhe pastaj, ta fitojmë të drejtën për të udhëtuar pa viza në Evropë.

Kaq na ka mbetë për ta rregulluar këtë punën e vizave.

Natyrisht, si të vyeshëm dhe këmbëngulës si jemi, nuk kemi heq dorë në kërkim të normalitetit në politikë.

Thuajse që prej se janë mbajtë zgjedhjet e kaluara parlamentare, të jashtëzakonshme, të qershorit të vitit 2014, megjithëse këto ishin votimet e para të organizuara në Kosovën si shtet, të cilat u cilësuan si më të mirat dhe më të rregulltat prej të gjithëve, për shkaqe të njohura, u tha që shtegdalja prej abnormalitetit politik pas-zgjedhor gjindet në mësymjen e sërishme kah qendrat e votimit.

Siç po shihet gjithnjë e më shumë ditëve dhe javëve të fundit, si politikë duket që do të mbërrimë herët a vonë, qoftë edhe një ditë para afatit të rregullt të zgjedhjeve, tek ky përfundim: Zgjedhjet e reja do të na pajisin (më në fund), me normalitetin politik!

E ky normalitet, në fakt pra, ka domethënien e funksionimit të mirëfilltë të një politike, të institucioneve të saja.

Ky kallëzim apo rekapitulim fare i shkurtër i ndodhive njëmend të papara (më herët), në politikën kosovare, në gati tri vitet e kaluara, nuk do të arrinte dot ta kalonte atë ‘testin’ e Oliver Sacks-it, për një njeri që është normal, sepse di prej nga vjen, di kah duhet të shkoj, dhe i di të metat dhe përparësitë e veta.

Politika e sotme kosovare, ka nisë ta mëdyshë të kaluarën e vet, apo, ka nisë ta harrojë atë, ajo ka vënë në pikëpyetje të madhe çka duhet me ndodhë me këtë vend, ka humbur orientimin në kohë dhe në hapësirë, dhe nuk i di as të metat dhe as përparësitë e veta.

Kaq është puna me politikën kosovare.