Takim rajonal për infrastrukturë dhe transport

Është mbajtur sot në Tiranë një takim rajonal i Ministrave të Transportit të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Është rënë dakord për bashkëpunim të ndërsjellë.

Lajme

10/02/2014 17:07

Në Tiranë është mbajtur takimi i ministrave të rajonit të infrastrukturës, ku u diskutua për bashkëpunim të ndërsjellë, i cili mbështetet fuqishëm nga Bashkimi Europian në kuadër të nismave dhe organizatave të rajonit.

Në takim prezent ishte Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Femi Mujota, Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, Ministri i Malit të Zi, Ivan Brajovic, si dhe Ministri i Maqedonisë, Mile Janakieski, raporton Kosovapress.

Mujota, takimin e sotëm e ka konsideruar si një takim me rëndësi etike në fushën e transportit dhe hekurudhës.

Ai ka theksuar se infrastruktura rrugore në Kosovë, është një dëshmi e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës, Shqipërisë por edhe të gjitha vendeve të rajonit që kalojnë rrugën e Kosovës, pasi sipas tij i plotëson standardet evropiane.

Edhe Edmond Haxhinasto, ka thënë se së bashku janë në gjendje që të krijojnë fusha bashkëpunimi më të ngushtë me të gjitha vendet rajonale, për t’i dhënë zgjidhje edhe çështjeve të që kanë të bëjnë me koordinimin më të mirë në konceptimin e projekteve strategjike të cilat kanë ndikim përtej kufijve kombëtarë.

Edhe ministrat e Maqedonisë dhe Malit të Zi, janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim. Ata kanë thënë se në të ardhmen do të kenë edhe takime të tjera në mënyrë që të krijohen bashkëpunime më të frytshme në rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit.