Tahiri: Çdo ditë po bëhet progres në unifikimin e normave dhe parimeve të sistemit të drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka përgëzuar Gjykatën supreme për punën që ka bërë në hartimin e Udhëzuesit të parë për politikën ndëshkimore.

Lajme

02/03/2018 16:47

Sipas Tahirit, udhëzuesi është instrument që ndihmon në konsolidimin dhe harmonizimin e praktikës gjyqësore.

“Çdo ditë e më shumë po bëjmë progres në unifikimin e normave dhe parimeve që sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës të jetë në përputhje me standardet më të avancuara evropiane. Institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës kanë punuar në ndërtimin e një sistemi të fuqishëm të drejtësisë që bazohet në gjyqësor të pavarur e që mbështet legjislacionin primar në standardet ndërkombëtare”, ka shkruar Tahiri.

Megjithatë, ministri Tahiri ka pranuar se pavarësisht progresit, Kosova ende ka rrugë të gjatë në arritjen e blerave civilizuese të Bashkimit Evropian, ku bërthamë e punës mbetet funksionimi i gjyqësorit.

“Përderisa gjendemi në një moment që i paraprin reformës dhe që ndeshet me kolizione dhe konflikt në mes ligjesh, interpretimi i unifikuar gjyqësor luan rol esencial në unifikimin e praktikës gjyqësore, formulimit të politikave gjyqësore dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të ligjit përmes qartësimit të normave ligjore komplekse. Thënë këtë, ekzistenca e një udhërrëfyesi të këtillë që ndikon domosdoshmërisht në unifikimin e praktikës gjyqësore ka arsyetim historik që do fuqizojë gjyqësorin në tërësi por edhe do luajë rol kyç në përforcimin e sundimit të ligjit” ka përfunduar ministri.