Tahiri beson në nota pozitive nga BE për liberalizimin e vizave

Nesër në Kosovë pritet të arrijë një mision i Komisionit Evropian, për vlerësimin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

Lajme

02/05/2018 15:08

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri beson në nota pozitive meqenëse institucionet e Kosovës kanë punuar, që krimi e korrupsioni mos të jenë pengesë në këtë proces, përderisa paralajmëron se pas miratimit të Kodit të ri penal, të fillojë shkarkimi i zyrtarëve me aktakuza. E shoqëria civile thotë se s’ka rezultate konkrete në dënimet e profilit të lartë.

Zyrtarë të Qeverisë thonë se Kosova do të dëshmojë se ka rezultate konkrete që tregojnë për luftimin e krimit e korrupsionit. Në një bisedë për Radio Kosovën, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se deri tani janë ta hapura 42 procese gjyqësore që vëzhgohen nga zyrtarë të BE-së, ku 10 prej tyre kanë përfunduar, 8 janë me aktgjykim të formës së prerë dhe 18 raste janë me aktakuza.

Sa i përket suspendimit të zyrtarëve që janë me aktakuza, ministri Tahiri tha se janë duke pritur miratimin e Kodit të ri penal: “Ne e kemi dërguar Kodin e ri Penal në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh suspendimin e personave me rastin e ngritjes së aktakuzës, mirëpo ky kod ende nuk është në fuqi. Unë shpresoj se do ta miratojnë në Kuvend deputetët. Kam thënë se nuk është mirë për institucionet e Kosovës, për Republikën e Kosovës që të kemi në çfarëdo pozite drejtues njerëz që janë me aktakuza dhe të përshirë në procese gjyqësore”.

Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, dyshon se sistemi i drejtësisë mund ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ai shpreson që Bashkimi Evropian do ketë mirëkuptim për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që ata të mos mbeten të izoluar për shkak të mungesës së përparimeve në punën e institucioneve.

“Bazuar në gjetjet e vazhdueshme sistematike, rezulton që nuk ka luftë të vërtetë kundër korrupsionit e sidomos të profilit të lartë. Pra, mungojnë rezultatet konkrete, sepse ende nuk e kemi asnjë person të dënuar me aktgjykim përfundimtar që i takon profilit të lartë. Karshi liberalizimit të vizave, konsideroj se ky kriter nuk është përmbushur, por shpresojmë shumë se BE do t’i mbyllë sytë dhe thjesht do të bëjë liberalizimin e vizave duke dhënë rekomandim pozitiv për hir të qytetarëve të Kosovës dhe jo për hir të politikanëve”, ka thënë ai.

Sipas Musliut, duhet një sistem i drejtësisë i pandikuar nga politika, i cili do të jetë i pavarur dhe i fuqishëm. Kurse ministri Tahiri beson në nota pozitive të misionit vlerësues të BE-së, i cili pritet të arrijë në maj në Kosovë për të shikuar nga afër punën që është bërë në përmbushjen e kriterit për liberalizim, e që ka të bëjë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.