Pasojat e anulimit të konkursit për noterë nga Albulena Haxhiu: 57 në krejt Kosovën, 25 veç në rajonin e Prishtinës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë qeverisë Kurti I kishte anuluar konkursin për noterë, ndërsa pasojat e këtij vendimi janë ndjerë së paku në 15 komuna të Kosovës që kanë mbetur pa noterë për më shumë se 2 vjet.

Lajme

15/05/2022 22:20

Sipas përgjigjeve të Ministrisë së Drejtësisë për lajmi.net, Kamenica, Obiliqi, Mamusha, Malisheva, Kllokoti, Istogu, Rahoveci, Parteshi, Ranilluku, Juniku, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Hani i Elezit dhe Skenderaj janë pa noterë që nga shkurti i vitit 2020.

Për këto komuna, MD thotë se ka autorizuar 16 noterë për të dhënë shërbime noteriale, por përveç kësaj, edhe shumë qytete të tjera funksionojnë me numër të vogël të noterëve pasi shumica e tyre janë në rajonin e Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Nga 57 noterë sa janë aktualisht, 25 prej tyre kryejnë shërbime noteriale në rajonin e Prishtinës. Prej tyre, 14 në Prishtinë, 3 në Lipjan, 3 në Fushë Kosovë, 2 në Podujevë, 2 në Drenas dhe 1 në Graçanicë.

E vendimin për anulim të konkursit për noterë të marrë nga ministrja Haxhiu në shkurt të vitit 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte konsideruar si të pabazuar pasi ka pasur sipas tyre mungesë të provave për ta bërë këtë.

Në mars të këtij viti, Departamenti për Çështje Administrative kishte anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë (MD), me të cilin ishte anuluar konkursi për noterë. Kjo pasi që Gjykata ka aprovuar padinë e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimi.

Gjykata ka vërtetuar provimin e noterisë me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.

“Kjo për faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar me ligjin, nuk është vërtetuar se me zgjedhjen e këtij komisioni nuk është arritur qëllimi sipas ligjit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe se zgjedhja e tij nuk është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim më normat e gjithë pranuara të shkencës apo teknikës dhe nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë ka konsideruar se pavarësisht vendimit të Themelores, “janë krijuar rrethana të reja”, duke tentuar kështu të arsyetojnë shpalljen e një konkursi të ri për noterë.

Këshilltari i lartë i Haxhiut, Genc Nimoni në një prononcim për mediat, duke mos e ditur saktë as numrin e komunave pa noterë në Kosovë, ka deklaruar se janë në fazën konsultative me ekspertë për hapjen e një konkursi të ri për noterë. /Lajmi.net/