Fundviti me reduktime të rrymës

Ditët e fundit të vitit 2014 pritet të jenë me reduktime të energjisë elektrike. 

Lajme

15/12/2014 08:42

Korporata Energjetike e Kosovës nuk do t’i kthejë në punë, në kohën e planifikuar, dy njësitë e termocentralit Kosova A, të cilat ishin paaftësuar pas shpërthimit më 8 qershor.

E KEDS-i nuk e ka në plan të mbulojë me import mungesën e energjisë elektrike që pritet të vijë nga mungesa e prodhimit të energjisë elektrike, shkruan Koha Ditore.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga KEK-u rreth kthimit në punë të njësive të paaftësuara gjatë verës, por nuk ka marrë përgjigje. E pas dy ditësh, KEK-u e ka lëshuar një komunikatë në të cilën shpjegon se punët në aftësimin e dy njësive janë vonuar për shkak të aktiviteteve që nuk janë paraparë në fillim.

“Për sa u përket njësive A4 dhe A5, duke marrë parasysh gjendjen e konstatuar dhe sfidat e vjetërsisë së këtyre njësive, procesi i një remonti të tillë ngërthen në vete një numër shumë të madh të aktiviteteve, të cilat jo gjithmonë të gjitha mund të përcaktohen paraprakisht”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KEK-u, transmeton Koha Ditore.