Bashkëpunimi ekonomik e tregtar, Rama takon Yildirim

Kryeministri Edi Rama është takuar në Stamboll me homologun e tij turk, Binali Yildirim, teksa po merr pjesë në Kongresin Botëror të Naftës që po mbahet në këtë shtet.

Lajme

10/07/2017 21:49

Kryeministri Rama njoftoi me anë të një postimi në “Facebook” për takimin me homologun e tij turk. “Me kryeministrin Binali Yildirim për planet e katërvjeçarit të ardhshëm me synim kryesor fuqizimin e konsiderueshëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar”, shkroi Rama në “Facebook”.

Më herët, në fjalën e tij në Kongres, Rama u shpreh se Shqipëria mund të kthehet në një destinacion investimesh për kompanitë e mëdha.

“Vendi ynë ka rezerva të pashfrytëzuara që mund të na bëjnë frontin e ri të naftës, larg nga nxehtësia e Lindjes së Mesme. Bashkëpunimi ynë qeveritar me kompanitë e sektorit privat është shumë i rëndësishëm për të siguruar një rritje të vijueshme të sektorit të naftës”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se, fokusi kryesor i qeverisë së tij është rritja e furnizimit për konsumatorët shqiptarë dhe vijimi i përparimit drejt integrimit të tregut energjitik shqiptar në atë ballkanik e më pas në atë europian, nisur nga pozicioni strategjik dhe rezervave të mëdha.

“Për shkak të vendndodhjes gjeografike, Shqipëria do të gjendet përgjatë një prej itinerareve më të mëdha energjetike të botës, që është TAP. Gjithashtu, ne gjendemi në një prej fushave të naftës më të mëdha “onshore” në Europë, me 220 milionë fuçi nafte”, ka thënë Rama. /TopChannel/