Anëtarësimi në BE dhe NATO, Szunyog: Ndalja e progresit në dialog është mbyllje e derës

Ambasador i Bashkimit Evrpian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar të hënën se e vetmja rrugë drejt anëtarësimit të Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është dialogu. Ai ka thënë se mungesa e progresit është mbyllje e derës. Këto komente ambasadori Szunyog i bëri në panelin me temë “Hartimi i së ardhmes: Drejtimet e Politikave dhe…

Lajme

04/03/2024 20:39

Ambasador i Bashkimit Evrpian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar të hënën se e vetmja rrugë drejt anëtarësimit të Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është dialogu. Ai ka thënë se mungesa e progresit është mbyllje e derës.

Këto komente ambasadori Szunyog i bëri në panelin me temë “Hartimi i së ardhmes: Drejtimet e Politikave dhe Angazhimi Diplomatik”, ku mori pjesë ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jefrrey Hovenier dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla.

Szunyog tha se në qendër të interesit të Këshillit të Evropës po qëndron Evropa Lindore dhe aktualisht jo Ballkani Perëndimor.

“Mënyra e vetme për të hyrë në procesin Evropian dhe Euro-Atlantik është progresi përmes dialogut. Progresi hap dyert, mungesa e progresit i mbyllë ato”, theksoi Szunyog.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla shprehet optimiste se deri në vitin 2030, Republika e Kosovës do të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. Por, menjëherë ndaj kësaj deklarate ka reaguar ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jefrrey Hovenier, ku u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian në vitin 2030 është ambicioz, kurse për anëtarësimin në NATO, theksoi se Kosova duhet ta ndihmojë ShBA-në, në mënyrë që edhe ajo ta ndihmojë Kosovën./