Sot takohet qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës

Kabineti qeveritar i Kosovës do të udhëtojë përmes Rrugës së Kombit drejt Tiranës për të mbajtur mbledhjen e dytë të përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë.

Lajme

23/03/2015 09:12

Motoja e kësaj mbledhjeje do të jetë “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”, shkruan Epoka e Re.

Në këtë mbledhje të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, pritet të nënshkruhen 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle.

Udhëheqësit e qeverive kanë shprehur optimizëm për suksesin e këtij takimi, duke thënë se me të do të hapet një kapitull i ri bashkëpunimi në mes Shqipërisë dhe Kosovës, shkruan “Epoka e re”.

Marrëveshja për sigurinë, arsimin, financat, bujqësinë, tregtinë e kulturën do të jenë fushat kryesore ku do të përqendrohen sot diskutimet gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kryeministria në Shqipëri ka publikuar agjendën zyrtare të orareve dhe mbërritjes së delegacionit të Kosovës në Shqipëri, ku mbledhja do të nis në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve.

Agjenda

Mbledhja mes dy qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë

E hënë, 23 mars 2015

Ora 10:40 – Mbërritja e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Pallatin e Kongreseve Ceremonia zyrtare e Mirëseardhjes.

Ora 11:00 – Fillimi i mbledhjes së dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës

Ora 12:00 – Ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve në mes dy qeverive.

Ora 12:20 – Konferencë për shtyp e dy Kryeministrave të qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Ndërsa, lidhur me marrëveshjet që do të jenë në tryezën e bisedimeve, mësohet se do të jenë 11 pika ku do të fokusohet e gjithë mbledhja:

  1. Do të diskutohet për bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
  2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”
  3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
  4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
  5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave ”.
  6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
  7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
  8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
  9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
  10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
  11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës ë Kosovës