Sot qartësohet (mos) marrëveshja

Sot, liderët e tri partive opozitare kanë arritur marrëveshje dhe pretendojnë formimin e qeverisë së re, LDK, AAK dhe Nisma do të takohen me përfaqësuesit politik të Lëvizjes Vetëvendosje për të hequr dilemat se a janë pajtuar me kushtet e Vetëvendosjes.

Lajme

30/06/2014 09:24

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka thënë për “Zëri” se në takimin e së hënës mund të arrihen rezultate konkrete.

Ai ka thënë se subjekti i saj politik voton secilin kandidat për kryeministër që partitë opozitare kanë nominuar, nëse ai pranon kushtet e VV-së.

“Ka përafrime dhe besoj se të hënë do të jetë takimi i liderëve dhe do të marrim përgjigjet e para e pse jo edhe përfundimtare, se në cilat pika ka përafrim dhe për cilat nevojiten diskutimet. Pra, besoj se do të kemi një takim që do të japë rezultate konkrete”.

“Ne nuk votojmë njerëz, ne votojmë politike. Nëse merremi vesh për çështjen e dialogut, privatizimin dhe çështje të tjera që i ka shkruar Vetëvendosje, me do të votojmë cilindo kandidat që e kanë nominuar këto tri subjekte politike dhe nuk mund të ndërhyjmë në këtë pjesë”.

Molliqaj ka thënë se është vet anëtarësia e VV-së e cila vendos se nëse ky subjekt politik do të hyjë në Qeveri dhe ajo bëhet përmes procesit të referendumit të brendshëm.

“Ne do të vazhdojmë edhe me fazën e tretë të diskutimeve se cili është plani i Qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe nëse aty do të kemi hapësirën e mjaftueshme për të shyrë përpara qëndrimet atëherë për një gjë të tillë do të vendosë anëtarësia e Vetëvendosjes se a do të jemi pjesë e Qeverisë a jo. Dhe me referendum të brendshëm vendoset pro apo kundër përfshirjes në një koalicion të gjerë”, ka thënë Molliqaj, shkruan sot “Zëri”.