Sot, aksioni i madh pastrimi në 30 komuna të Kosovës

Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën”, sot organizon aksionin e madh të pastrimit të mbeturinave në 30 komuna në Kosovë, ku pritet të largohen 150 deponi ilegale në tërë Kosovën.

Lajme

24/05/2016 07:38

Në një komunikatë për media, nga kjo iniciativë kanë bërë të ditur se hapja zyrtare e aksionit do të bëhet në komunën e Prishtinës, duke filluar prej orës 10:00, tek shtëpia e shëndetit në lagjen Kalabria, ndërsa nisja e vullnetarëve për këtë pikë bëhet në ora 09:30 nga sheshi “Zahir Pajaziti”.

“Po ashtu, secila komunë do bëjë hapjen zyrtare në të njëjtën kohë, duke filluar prej orës 10:00, në qendrat që janë caktuar nga koordinatorët lokal. Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” fton të gjithë qytetarët pa dallim që të bëhen pjesë e këtij aksioni, që të gjithë së bashku do të japim kontributin për të përmirësuar imazhin e vendit për sa i përket ambientit, dhe të jetojmë në një vend të pastër. Iniciativës do t’i bashkohen zyrtarë komunalë, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërmarrjet regjionale të pastrimit të mbeturinave, kompan i të ndryshme private, përfaqësues dhe vullnetarë të organizatave të ndryshme që operojnë nëpër komuna, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Bazuar në të dhënat nga aktivitetet e zhvilluara në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, aksionit të së nesërmes do t’i përgjigjen mbi 50 mijë vullnetarë. Ju bëjmë me dije se nxënësit e secilës shkollë në Kosovë do të pastrojnë hapësirat përreth objekteve të tyre, dhe në shumicën e shkollave në Kosovë, në orën e parë do të ligjërohet për mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në komunikatë.

Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” , ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të dalin dhe të pastrojnë lagjen, fshatin, qytetin e tyre dhe të vazhdojnë edhe pas kësaj dite t’i mbajnë të pastër.

Sipas kësaj iniciative, aktivitetet e tyre nuk do ndalen në këtë datë, por do të vazhdojnë deri në arritjen e objektivave të tyre.