Skandal: 4 000 studentë shqiptarë bien pre e një skeme mashtrimi

Pas bursave online, kursimet e qytetarëve shqiptarë po kërcënohen nga skemat të mundshme mashtrimi “Ponzi”.

Lajme

23/05/2016 11:00

Të joshur nga premtimet për superfitime, shumë të rinj janë përfshirë në blerjen me çmime dhjetëfish më shumë se tregu të shërbimeve IT si domene dhe softe.

Çdo blerës duhet të gjejë dy blerës të rinj dhe kështu me radhë. Kompania, që ofron këtë shërbim në Shqipëri, është akuzuar në Turqi nga organet e drejtësisë për mashtrim. Policia, në dijeni, por nuk ka përfunduar hetimin.

Institucionet financiare apelojnë për kujdes.

Dy djem të rinj, të pashëm dhe të veshur me marka, vetëm në pak ditë kanë arritur të arkëtojnë vlera të mëdha parash ndër studentë të Universitetit të Vlorës nëpërmjet prezantimit të një skeme për të cilën agjencitë shtetërore dyshojnë se që ngjan me modelin e famshëm piramidal “Ponzi”.

Të prezantuar si trajnues të një kompanie turke, ata iu kanë kërkuar studentëve të bëhen pjesë e grupit duke paguar 1000 lekë, ku më pas ata do të krijonin një adresë në portalin e tyre dhe do të kishin një program të sofistikuar që ti duhet të shpërndaje 10 postime në ditë për të fituar 4 dollarë.

Këto para mund të tërhiqeshin kur të bëheshin 300 dollarë, por kur arrije një shumë të caktuar, ata të zeronin llogarinë dhe të dërgonin një mesazh që kishe vepruar gabim në sistem.

Skemat funksionin kështu edhe me produkte të tjera, trajnerët shesin ndër të rinj paketa domain, me vlerë 70-75 mijë lekë (rreth 600-700 dollarë) disa herë më shumë se vlera reale e tregut. Çdo blerës duhet të gjejë dy blerës të rinj e kështu me radhë.

Sipas ofertës, konsumatori përfiton 5% të shumës prej 600 USD për çdo referim të drejtpërdrejtë që do të arrijë të realizojë, të cilat kalojnë në Bonus Point Statement.

Fitimi i parë për konsumatorin arrihet kur plotësohen dy çiftet e para, nga të cilat 150 USD kalojnë në Bonus Point Statement dhe 50 USD në Voucher Statement. Fitimet në vazhdimësi për konsumatorin arrihen atëherë kur të plotësohen 3 çifte të tjera, shumë e cila ndahet në 225 USD në Bonus Point Statement dhe 75 USD në Voucher Statement.

Me këtë ofertë janë mashtruar qindra të rinj në vend, të cilët edhe pse kanë arritur të realizojnë referimet dhe të kapin bonuset nuk kanë marrë asnjë para mbrapsht. Trajnerët janë zhdukur duke lënë pas jo vetëm paratë e humbura, por edhe konflikte të shumta sociale.

Me një kërkim të thjeshtë në internet sheh se çmimet e këtyre produkteve janë shumë më të lira. Një shitës britanik i produkteve të web-eve dhe hosteve “godaddy.com” e shet një domain me 11.9 euro dhe një host me 3.9 euro.

Kjo skemë e eksperimentuar në masë në Universitetin e Vlorës pasi është strukturuar mirë edhe në nivel menaxherësh, pasi ka grumbulluar shumat, ka përhapur lajmin te kreditorët se organizata ka falimentuar, ndërkohë që aktiviteti i saj vijon edhe sot në qendër të Tiranës dhe në të gjitha rrethet kryesore.

Tre skema të tilla qe shesin produkte virtuale me çmime marramendëse po përhapen në masë, sidomos në qytetet e Fierit dhe Vlorës.

Burimet pranë kompanive pohojnë se janë përfshirë në këto skema rreth 4 000 të rinj. Burimet policore kanë pohuar zyrtarisht për “Monitor” se janë në dijeni të aktivitetit të kompanisë, por nuk kanë zbardhur shumë detaje për shkak të konfidencialitetit.