Si thirret seanca e re konstituive dhe nga kush? (Dokument)

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare  të 11 qershorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është hapur rruga për formimin e institucioneve të reja.

Lajme

11/07/2017 11:26

KQZ ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve më 8 korrik, dhe koalicioni fitues PAN, ka 30 ditë afat për ta formuar qeverinë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka  paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të formohet Qeveria e re.

Fillimisht duhet të bëhet konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit e më pas edhe votimi i Qeverisë së re, shkruan lajmi.net.

Cilat janë procedurat e thirrjes se seancës konstituive

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, mbledhjen Konstituive e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve.

Por, Kuvendi, sipas Kushtetutës së Kosovës, mblidhet edhe nëse Presidenti nuk e bënë këtë.

“Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit” thotë pika 3 e këtij neni Kushtetues.

Ndërsa, për përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e mëparshme.

Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike, thuhet në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Koalicioni PDK-AAK-Nisma si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit ka të drejtën për formimin e qeverisë. Zyrtarë të këtij koalicioni që kanë fituar 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës janë shprehur se i kanë numrat për formimin e qeverisë, dhe se do ta formojnë në kohë rekorde./Lajmi.net/

untitled