Shqiptari nga Tuzi i Malit të Zi e shndërron shtëpinë në muze (Foto)

Shtjefan Ivezaj nga fshati Lekaj, nga dashuria për sendet e ekzpozuara, të cilat i mbledh nga viti 2002, shtëpinë në të cilën jeton, e ka shndërruar në muze.

Lajme

26/04/2015 23:36

Në fshatin Lekaj, afër Tuzit, që i përkasin Podgoricës, ndodhet shtëpia që është shndërruar në muze. Shtjefan Ivezaj, nga dashuria për sendet e ekspozuara, të cilat i mbledh nga viti 2002, shtëpinë në të cilën jeton e ka kthyer në muze, i cili është i hapur për vizitorët gjatë gjithë vitit.

Edhe pse në dekadën e tetë të jetës së tij, ky admirues i sendeve dhe relikeve të ekspozuara, së bashku me gruan e tij në shtëpinë e tyre ruajnë një numër të madh të gjërave, të cilat me kohë u bënë pjesë e shtëpisë muze. Në shtëpinë e tij, e cila ka katër dhoma gjumi, ka sende, relike të ndryshme të cilat Shtjefani i ka mbledhur me vite. Ndërsa në vitin 2002 shtëpinë e shndërroi në muze. Që nga atëherë, ai dhe familja e tij flenë dhe bëjnë të gjitha gjërat e zakonshme në shtëpinë e tyre të kthyer në një muze, raporton AA.

Në Tuz, Shtjefani njihet si fotografi i parë në atë anë. Kështu që njëra prej dhomave në shtëpinë e tij është e mbushur me fotografi nga fotoaparati i tij. Aty gjen nga aparatet më të vjetra, deri tek aparatet digjitale. Shtjefan nga një fondacion i huaj ka marrë certifikatën për “Ambasador të Paqes”.

a

Në muzeun e Ivezajve ka gjithçka, siç thotë Shtjefani, nga gjilpëra deri tek topi. Mund të shihen veshjet kombëtare të shumë kombeve. Gjithashtu, aty janë edhe instrumentet e muzikës që janë përdorur në shekullin e kaluar. Vizitorët mund të shohin lloje të ndryshme të kapeleve, enëve, mjeteve dhe armë të ndryshme. Veçanërisht interesante janë tamburat, të cilat  Shtjefani i ka të madhësive të ndryshme.

“Për dashurinë ndaj relikeve të ekspozuara, kam ardhur në një situatë që të jetoj si në kohën e gurit. E them këtë për shkak të mungesës së hapësirës. Ndoshta shtëpinë time nuk do ta ktheja në muze, por nuk kisha ku ti vendosja të gjitha këto gjëra. Pak nga pak, kjo shtëpi muze më ka nxjerr përjashta. Tani unë fle në një dhomë që është afër derës hyrëse, ndërsa gjatë natës ruaj muzeun”, tha Shtjefan Ivezaj.

“Këtu është muzeu etnografik, fototeka, biblioteka dhe filatelia. Disa nga këto gjëra që ndodhen në muze i kam blerë, ndërsa disa i kam pranuar si dhuratë. Goxha vështirë i kam gjetur këto që kam këtu, ku një pjesë e tyre iu përkiste familjes sime. Unë dhe gruaja ime këto gjëra i ruajmë si sytë tanë. Çdo herë kur shkoj diku jashtë, sjell diçka në muze”, tha Ivezaj.

Në muze, Shtjefani sot jeton me gruan e tij Gjysten. Ai thotë se gjatë vitet janë adaptuar që të jetojnë në dhomat që janë të mbushura me sendet e ekspozuar. Gjatë muajve të verës, muzeu tërheq një numër të madh të admirueseve të relikeve të ndryshme.

“Vizitorët që vijnë në muzeun tonë janë nga e gjithë bota. Ata thonë se diçka të tillë nuk kanë parë askund. Nuk turpërohem edhe sikur të më vinë presidentët dhe liderët botërorë, që të shohin këtë mrekulli”, tha Shtjefani.

Edhe pse në muzeun e tij mund të gjeni veshje të shumë kombeve, Shtjefani veçon njërën prej tyre. “Këtu ka veshje të kombeve të ndryshme. Madje kam veshje nga Meksika, të cilat mi solli djali im nga Amerika 20 vjet më parë”, tha Ivezaj.