Shqipëria do të bëjë gjithçka që vizita e Vuçiqit të kalojë pa incidente

Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd u karakterizua me tensione, shkaku i deklaratave për Kosovën. Por disa muaj më pas kur homologu i Ramës, Aleksandar Vuçiq, do të vizitojë Tiranën, Shqipëria është shumë e interesuar që vizita të kalojë pa incidente.

Lajme

24/05/2015 23:08

Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit shqiptar Edi Rama, në një bisedë për RTK2 në gjuhën serbe, ka thënë se vizita e kryeministrit serb më 27 maj në Tiranë do të duhet të shërbejë në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, që ato të hyjnë në një rrjedh normale, transmeton lajmi.net.

Ai ka vënë në dukje se Shqipëria do të bëjë gjithçka që vizita e Aleksandar Vuçiq të kalojë pa incidente.

2

Maliqi ka thënë se është e nevojshme që të krijohet një bashkëpunim i mirë në mes të Shqipërisë dhe Serbisë, dhe të mos ketë tension mes dy vendeve.

“Më shumë se sa simbolika historike e takimeve të kryeministrave Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama, duhet të ekzistojë vullneti për përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe, që ato të kalojnë në një raport normal”, ka thënë Maliqi.

Sa i përket Kosovës, Maliqi ka thënë se të dy palët kanë qëndrime të ndryshme, dhe ka mundësi që për këtë temë të flitet edhe në takimin e Tiranës.

“Por më e rëndësishme është që të vendosen marrëdhënie të mira bilaterale dhe bashkëpunim të mirë në nivele të shumëfishta, që është edhe kërkesë e institucioneve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe BE-në”. (lajmi.net)