Shpend Ahmeti: Kisha në oborrin e UP-së, çështje politike – Lajmi.net
Shpend Ahmeti: Kisha në oborrin e UP-së, çështje politike
Autori: Lajmi.net LajmePolitikë 16:37, 6 April 2015
Kisha jolegale brenda UP-së i mbetet për zgjidhje Qeverisë dhe ambasadave të huaja në Kosovë
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk po e përmend më rrënimin e kishës së ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Duke iu përgjigjur gazetarit të “Zërit të Amerikës”, nëse autoritetet aktuale të Prishtinës do të marrin parasysh lejen për ndërtimin e kishës Krishti i Shpëtimit, e dhënë në shkurt të vitit 1999, Ahmeti ka thënë se kjo përbën një çështje të ndjeshme politike, meqë shumica e shqiptarëve konsideron se kjo kishë është vepër e regjimit të Millosheviqit.

“Për shkak të ndjeshmërisë politike, kjo me siguri do të jetë njëra nga çështjet më të ndjeshme të legalizimeve në Prishtinë, prandaj tani, gati gjashtë muaj para përfundimit të procesit të legalizimeve në Prishtinë, në këtë punë janë përfshirë Qeveria e Kosovës dhe disa ambasada”, ka deklaruar Ahmeti.

“Në atë kohë populli ishte kundër ndërtimit të kishës në kompleksin e Universitetit të Prishtinës, prandaj sot e kësaj dite konsiderohet si një provokim i regjimit të atëhershëm”, ka shtuar ai.

Ahmeti i ka thënë “Zërit të Amerikës” në gjuhën serbe se të gjitha objektet e ndërtuara pa leje do të trajtohen në mënyrë të barabartë, duke rikujtuar se më 2013 në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji mbi legalizimet.

Afati për dorëzimin e kërkesave për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje në Kosovë përfundon në qershor të sivjetshëm.

Në territorin e komunës së Prishtinës janë mbi 30 mijë objekte të ndërtuara pa leje, ose për të cilat autoritetet lokale nuk kanë dokumente se janë ndërtuar me leje.

Ndër to është edhe kisha e Krishtit të Shpëtimit, në qendër të Prishtinës, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe thotë se ka leje nga shkurti i vitit 1999, të dhënë nga autoritetet lokale, që asokohe përbëheshin vetëm nga serbë të instaluar nga regjimi i Millosheviqit.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO