NATO vlerëson situatën e sigurisë në Kosovë, tregon çfarë pritet me trupat e KFOR-it

Aleanca Veriatlantike (NATO) ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka vazhduar të përmirësohet, ndërsa procesi i optimizimit të trupave të KFOR-it do të vazhdojë gjatë vitit të ardhshëm. Në një komunikatë me rastin e ndërrimit të komandës së KFOR-it, NATO ka theksuar se ky proces përfshin rregullimin gradual…

Lajme

15/10/2026 12:45

Aleanca Veriatlantike (NATO) ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka vazhduar të përmirësohet, ndërsa procesi i optimizimit të trupave të KFOR-it do të vazhdojë gjatë vitit të ardhshëm.

Në një komunikatë me rastin e ndërrimit të komandës së KFOR-it, NATO ka theksuar se ky proces përfshin rregullimin gradual dhe të kalibruar të pozicionimit dhe numrit të trupave të misionit.

“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n. Angazhimi i Aleancës për stabilitetin rajonal është i palëkundur, dhe KFOR-i vazhdon të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, gjeneralmajori Roberto Vergori nga Italia ka marrë drejtimin e misionit të KFOR-it, gjatë një ceremonie të mbajtur në selinë e këtij misioni në Prishtinë.

Vergori e ka zëvendësuar gjeneralmajorin Özkan Ulutaş nga Turqia, i cili deri më tani ka udhëhequr misionin e NATO-s në Kosovë.

Ceremonia e ndërrimit të komandës është udhëhequr nga admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Në të morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar.

NATO ka ritheksuar se KFOR-i do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij në mbështetje të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë. /Lajmi.net/