Shkelje në Falje

IKD në raportin e vet “Falja në Kosovë 2” ka vërejtur një varg shkeljesh të bëra nga presidentët me rastin e faljes së personave të dënuar për krime. IKD gjithashtu ka përfshirë disa rekomandime për ndryshimin e Ligjit për Falje.

Lajme

14/01/2014 16:12

Instituti Kosovar për Drejtësi, në raportin e saj të publikuar “Falja në Kosovë 2” ka dhënë disa rekomandime për ndryshimin e ligjit për falje.

Ky institut ka konstatuar se që nga hyrja e ligjit për falje në vitin 2009 presidentët e Kosovës të cilët kanë pushtet ekzekutiv për faljen e personave të dënuar për krime kanë bërë një varg shkeljesh.

IKD ka vërejtur se zbatimi i faljes në mënyrë arbitrare ka ndikuar në degradimin e institutit të faljes qysh në fillim të zbatimit të tij.

“Deri më tani, Presidentët i kanë falur pjesërisht dhe në tërësi rreth 250 vjet burgim për 246 persona të dënuar, ku vetëm 11 kanë qenë gra. Zbatimi i institutit të faljes kishte shqetësuar tej mase personat e dënuar të cilët kishin ngritur dilema rreth vlerësimeve objektive. Po ashtu, grupe tjera kishin ngritur shqetësimet e tyre rreth zbatimit të këtij instituti, përfshirë këtu Komisionin Evropian”.

“Madje në një rast, Presidenti kishte falur një të dënuar në kundërshtim me Ligjin për Falje. Rrjedhimisht, shumë kritika janë ngritur sa i përket zbatimit të faljes në Kosovë. Zbatimi i faljes në mënyrë arbitrare ka ndikuar edhe në degradimin e këtij instituti, qysh në fillet e zbatimit të tij.

“Situata e krijuar patjetër se kërkon një përgjigje dhe atë të menjëhershme për të harmonizuar dhe përmirësuar aktet normative që rregullojnë këtë fushë. Një nga sfidat e mëdha në këtë nismë do të jetë mungesa e standardeve universale që do të orientonin angazhimin e krijimit të modelit të përshtatshëm për Kosovën. Rrjedhimisht, bazë e punës në këtë nismë duhet të jetë konteksti i Kosovës dhe praktikat më të mira nga vendet e ndryshme”.

“Rëndësi e madhe duhet kushtuar punës së Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Deri më tani, SHKK ka marrë kritika të mëdha për raportet e saja sa i përket besueshmërisë, profesionalizmit, dhe objektivitetit. Pa raporte të tilla për të dënuarit, do të jetë e vështirë të ketë zbatim të drejtë dhe meritor të faljes”.

“Raportet e ShKK-së kanë peshë të madhe në informimin e Presidentit për të marrë vendime. Sa i përket dispozitave ligjore që ndërlidhen me institutin e faljes, janë identifikuar disa çështje të cilat kërkojnë debat më të gjerë”.

Rekomandimet e IKD`së për ndryshimin e ligjit për falje  kanë  për qëllim që ta krijojnë një ligj sa më të kompletuar i cili do të mundësonte zbatim të drejtë dhe të ligjshëm të institutit të faljes në Kosovë.

“Ligji nuk duhet të kufizojë në mënyrë kategorike faljen e personave të dënuar për vepra të caktuara penale. Duhet të ndryshohet ligji ashtu që e drejta për falje t’u takojë edhe personave të dënuar të cilët më parë janë refuzuar nga Paneli për Lirim me Kusht. Ligji duhet të plotësohet me kritere të reja, të cilat kryesisht gjenden në Dekretin për Kritere të vitit 2012”.

“Kriteret duhet të theksojnë se Dekreti i Presidentit duhet të vendos masa rënduese për veprat penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore të përcaktuara si të tilla me dokumente të ndryshme shtetërore. Veprat për të cilat duhet pasur kujdes të shtuar duhet specifikuar në akte tjera nënligjore. Duhet themeluar mekanizma të përhershëm që do të angazhohen në grumbullimin e informatave, vlerësimin e vlefshmërisë së tyre, dhe informatave tjera relevante të nevojshme rreth personave të dënuar që kërkojnë falje”.

“Duhet vendosur kufizime kohore sa i përket çështjes së kërkesës për falje, varësisht nga kohëzgjatja e dënimit (p.sh. të dënuarit me më pak se tre vjet burgim kanë të drejtë të paraqesin kërkesën e radhës pas 6 muajve të vendimit të fundit, ata të cilët kanë dënim të përjetshëm paraqesin kërkesën e radhës tek pas 10 vitesh prej vendimit të fundit). Presidentëve duhet ndaluar e drejta për falje katër muaj para dhe pas shpalljes  së zgjedhjeve” thuhet në komunikatën e IKD’së.