Shkelësit me uniformë

Kryeshefi i Inspektoratit Policor, Fitim Shishani, njofton se vetëm për periudhën janar - shtator 2013, për shkak të veprave penale me natyrë korruptive, janë suspenduar 11 punonjës policorë, ndërsa janë arrestuar 4 të tjerë.

Lajme

30/09/2013 09:16

Shkeljes së ligjit nuk po i rezistojnë as pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Vetëm gjatë këtij viti nga Inspektoriati Policor i Kosovës janë hetur hiç më pak se 161 zyrtarë policorë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, keqtrajtim gjatë punës, marrje ryshfeti etj.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, në një intervistë për “Epoka e Re” ka bërë të ditur se vetëm për periudhën janar – shtator 2013, për shkak të veprave penale me natyrë korruptive, janë suspenduar 11 punonjës policorë, ndërsa janë arrestuar 4 të tjerë.

“Mund të konfirmoj se për periudhën janar – shtator 2013, vetëm për shkak të veprave penale me natyrë korruptive, janë suspenduar 11 punonjës policorë, ndërsa janë arrestuar 4 të tjerë”.

“Veprat penale konkrete për të cilat janë hetuar këta 161 zyrtarë janë: keqpërdorimi i detyrës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimit publik, rrezikim i trafikut publik, marrje ryshfeti, lëndim i lehtë trupor etj”.

“Nga 161 raste me elemente penale, sa ka trajtuar Inspektoriati Policor, 101 lëndë janë përcjellë në prokuroritë kompetente, 43 lëndë janë dorëzuar me raporte të veçanta, ndërsa numri tjetrër mbetet ende nën hetim”.

“Më lejoni të theksoj edhe një gjë: kemi parim të hetojmë shpejt dhe drejt, në mënyrë që të ruajmë besimin që kemi te qytetarët tanë. Inspektoriati Policor i Kosovës është shumë aktiv. Shpeshherë, duke hetuar itengritetin e pjestarëve të policisë, arrijmë ta ruajmë etikën në Policinë e Kosovës. Me përpjekjet tona ne kontribuojmë në kontrollin e korrupsionit brenda policisë. Po ashtu rrisim cilësinë e shërbimeve dhe besimin e qytetarëve ndaj policisë”.

“Në periudhën janar-shtator 2013 janë suspenduar 32 zyrtarë policorë, ndërsa janë arrestuar 5 zyrtarë policorë”.