Shenjat dhe simptomat e kancerit të testikulit, cila kategori meshkujsh është më e rrezikuar

Në krahasim me kanceret e tjerë, kanceri i testikulit është i rrallë, por zakonisht prekë moshat midis 15 dhe 35 vjeç. Kanceri i testikulit ka mundësi për t'u trajtuar edhe në rastet kur është përhapur përtej testikujve. Në varësi të tipit dhe të stadit të kancerit ndryshon edhe trajtimi.

Lifestyle

16/01/2018 17:30

Shenjat dhe simptomat e kancerit të testikulit janë:

– Zmadhimi i testikulit ose prania e ndonjë kokrre në të
– Një ndjenjë rëndimi në skrotum
– Një dhimbje e bezdisshme në bark ose në rreze të kofshës
– Një grumbullim i papritur lëngu në skrotum
– Zmadhim ose zbutje e gjoksit
– Dhimbje shpine

Zakonisht kanceri prekë vetëm njërin testikul dhe më poshtë mund të lexoni për shkaqet:

Në shumicën e rasteve, shkaqet e krijimit të kancerit të testikulit nuk janë të qarta. Në përgjithësi dihet që kanceri ndodh kur qelizat e shëndosha të testikulit pësojnë ndryshime anormale, shkruan Dr.RezarRusi.

Qelizat e shëndetshme rriten dhe ndahen në mënyrë të rregullt duke bërë që organizmi të funksionojë normalisht. Nganjëherë, disa qeliza zhvillohen në mënyrë anormale duke bërë që kjo rritje të dalë jashtë kontrollit. Këto qeliza kanceroze vazhdojnë të ndahen dhe të shtohen kur nuk ka nevojë për qeliza të reja.

Grumbullimi i këtyre qelizave formon një masë në testikul. Pothuajse të gjitha kanceret e testikujve fillojnë nga qelizat germinale të cilat prodhojnë spermatozoidet. Nuk dihet shkaqet pse këto qeliza anormale kthehen në kancer.

Sipas dr.Rusit, nëse një anëtar i familjes ka patur kancer në testikul, kjo shton mundësinë e formimit të kancerit në anëtarët e tjerë.

Parandalimi:

Nuk ka asnjë mundësi për parandalimin e kancerit të testikulit. Rekomandohet vetëkontrolli i testikujve për ta zbuluar kancerin në fazat e para. Koha më e përshatshme për këtë është pas një dushi me ujë të ngrohtë. Ngrohtësia e ujit, relakson skrotumin duke bërë më të lehtë zbulimin e ndonjë formacioni jo të zakonshëm. Për ta bërë këtë duhet të ndiqen disa hapa.

– Qëndro para pasqyres dhe shiko lëkurën e skrotumit për ndonjë fryrje.

– Kontrollo me duar të dy testikujt duke vënë gishtin e madh mbi testikul dhe dy gishtat tjerë nën të.

– Me delikatesë rrotullo testikulin midis gishtit të madh dhe dy të tjerëve. Zakonisht testikujt janë të lëmuar, në formë ovale dhe me konsistencë solide në një farë mënyre. Është normale që një testikul të jetë lehtësisht më i madh se tjetri. Nëse prekët ndonjë koker duhet konsultuar me mjekun.