Shembulli i Tabarezit, refuzon statujën nga Uruguaji

Oscar Washington Tabarez ka refuzuar nderimin e tij nga Montevideo.

Sport

26/09/2018 11:08

Mjeshtër i futbollit dhe i përulësisë. Oscar Washington Tabarez, trajneri 71-vjeçar, i cili sapo ka rinovuar kontratën si trajner i Uruguait, ka refuzuar propozimin e Bashkisë se Montevideos, kryeqytetit të vendit, për të ndërtuar një statujë në nder të tij në qendër të qytetit në përmasat e tij reale.

Tabarez e ka argumentuar “jo”-në e tij duke u shprehur se “do të ndikonte në dobësimin e frymës së unitetit që Kombëtarja synon të krijojë dhe inkurajojë.”

Rekordmen absolut për numrin e madh të ndeshjeve në krye të një kombëtareje me 185 të tilla, Tabarez është i vetmi trajner në botë që e ka drejtuar të njëjtën përfaqësuese në katër botërorë të ndryshëm, në vitet 1990, 2010, 2014, 2018.

Tabarez është gati të thyejë rekorde të reja, por pa qenë nevoja të marrë nderime të veçanta, transmeton “SS”.

Sipas mediave argjentinase, ka qenë vetë Bashkia e Montevideos që ka zbuluar refuzimin e trajnerit veteran, i cili vuan nga një sëmundje e kockave. “Tabarez është mirënjohës për këtë ide, por pavarësisht kësaj, nuk pranon këtë lloj tributi. Arsyet e kësaj zgjedhjeje të tij janë të kuptueshme, kështu që nuk na mbetet gjë tjetër veçse të respektojmë vullnetin e tij. Për këtë arsye, nuk do të ngulojmë më për zbatimin e kësaj ideje.”