SHBA-Koreja e Veriut, marrëveshje për kthimin e eshtrave të ushtarëve amerikanë

Koreja e Veriut do të kthejë në Shtetet e Bashkuara eshtrat e disa prej anëtarëve të shërbimit ushtarak amerikan, të vrarë në Luftën e Koresë, në vitet 1950-53.

Bota

18/07/2018 23:50

Këtë njoftim e dha Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, gjatë një takimi të kabinetit, të kryesuar nga presidenti Donald Trump.

Pompeo raportoi në lidhje me vizitën e tij në Penian, në fillim të muajit korrik, ku deklaroi se është arritur marrëveshja për kthimin e eshtrave të ushtarëve amerikanë, por që shumë çështje të tjera, kishin mbetur ende pezull, shkruan Top Channel.

Riatdhesimi i eshtrave të ushtarëve të vrarë në Luftën e Koresë, ishte një nga marrëveshjet e arritura gjatë takimit të 12 qershorit midis Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në Singapor.

Pompeo theksoi gjithashtu se gjatë vizitës së tij në Korenë e Veriut, kishte marrë garancinë nga udhëheqësit vendas, se do të vijojnë me procesin e denuklearizimit të vendit.