Shala për murin: S’guxojmë të themi asgjë, por rezoluta do të zbatohet

Rezoluta e cila ditë më parë u miratua në Kuvendin e Kosovës përmes së cilës kërkohet rrënimi i murit në veri të Mitrovicës, i ndërtuar nga serbët e asaj pjese, do të vihet në zbatim.

Lajme

05/01/2017 09:13

Kështu ka thënë për lajmi.net Ministri i i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferat Shala i cili shprehet i bindur se gjithçka do të funksionojë ashtu siç edhe e parasheh ligji dhe rezoluta.

“Ne e kemi rezolutën e cila është një dokument shumë i rëndësishëm dhe ne do të trajtojmë maksimalisht këtë problematikë. Presim, nuk guxojmë të themi asgjë niher për niher, por ne do ta trajtojmë  rezolutën dhe do ta rishikojmë mundësinë e zbatimit të ligjit, që tashmë është i qartë në këtë fushë”, bëri të ditur ministri Shala për lajmi.net.

Ndërkohë kryetari i asaj pjese Goran Rakiq ka insistuar vazhdimisht se muri nuk do të rrëzohet për shkak se, siç deklaronte ai, ndërtimi i këtij muri të cilin Rakiq e quajti një “amfiteatër të hapur” është bërë sipas marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, gjë të cilën e mohon ministrja për dialog Edita Tahiri.

Ferat Shala

Shala është pyetur edhe për kundërshtimin e mundshëm nga serbët e veriut për rrënimin e murit.

“Këtu është çështje e ligjit, nuk është çështje e vullnetit e dëshirës apo ideve alternative por është çështje ligjore”, ka thënë Shala për lajmi.net.

“Tashmë kjo punë është edhe e fuqizuar edhe me rezolutën e Kuvendit dhe ne jemi shumë të bindur se ligji duhet të zbatohet dhe rezoluta duhet të realizohet sepse është obligative dhe është institucioni më i lartë ligjvënës i Parlamentit”, sqaroi ministri Shala.

Ndërkaq që nga fillimi i ndërtimit të këtij muri në Mitrovicë i cili u quajt edhe si muri ndarës i Berlinit, ka pasur deklarata kundërthënëse nga trija palët pjesëmarrëse në dialogun e Brukselit.

Përderisa serbët shpreheshin të bindur se kjo po bëhej në pajtueshmëri me atë që ishte arritur në Bruksel, pala kosovare tha se për një situatë të tillë asnjëherë nuk është biseduar. Ndërkaq Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut tha se ajo që po shihet në veri të Mitrovicës nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicën prej 74 votash Rezolutën e paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për çështjen e murit të ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Deputetët e Kuvendit, të te gjitha partive politike, kanë kërkuar përmes miratimit të Rezolutës rrënimin e murit brenda janarit të këtij viti./Lajmi.net/