Shahistët falënderojnë Postën për pullën postare

Federata e Shahut të Kosovës e ka falënderuar Postën e Kosovës për emetimin e pullës postare dedikuar Kampionatit Individual Evropian të Shahut që është mbajtur në Gjakovë, për 12 ditë më radhë.   

Lajme

31/05/2016 16:32

Delegacionin e FSHK-së, të kryesuar nga Nysret Avdiu, kryetar, e ka pritur Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha.

Kjo pullë postare është promovuar dhe lëshuar në qarkullim më 23 maj, në ditën e mbylljes të kësaj ngjarje sportive me karakter ndërkombëtar.

Në emër të Postës, në ceremoninë përmbyllëse të kampionatit, pulla postare është prezantuar nga Kryetari i Bordit të Drejtorëve, Halit Isufi.

Edhe Kryeshefi i Postës ka përgëzuar Federatën e Shahut të Kosovës që kanë arritur të sjellin në Kosovë shahistët nga shtete të ndryshme evropiane si dhe për organizim të suksesshëm të këtij kampionati.

Ai ka theksuar se ngjarje të këtilla sportive ndikojnë për një imazh më të mirë të shtetit tonë, promovojnë paqe, respekt dhe krijojnë ura të miqësisë mes popujve të ndryshëm.

“Pulla postare që është promovuar në Kampionatin Evropian të Shahut në Gjakovë është pulla juaj dhe për këtë ne në Postë ndihemi krenar”, ka thënë Hoxha.

Në këtë takim në Postë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit tjerë të FSHK-së, Burhan Misini,  Sekretar i Përgjithshëm  dhe Ibish Hulaj, përfaqësues i klubeve të shahut.

Në shenjë falënderimi dhe respekti përfaqësuesit e FSHK-së i kanë dhuruar kryeshefit Hoxha një mirënjohje dhe emblemën e FSHK-së.

Filatelia e Postës së Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen promovimin e sportit kosovar përmes pullave postare, ashtu siç ka bërë disa herë në të kaluarën./lajmi.net.

IMG_9140 IMG_9135