Serbia mbyll dosjen ‘Bogdanov’

Policët e thërritur për të dëshmuar në prokurori, deklaruan se mbrëmjen e 14 tetorit 2014 (Serbi-Shqipëri), huligani i Crvena Zvezdës “zbriti në fushë për të qetësuar gjakrat”. Edhe pse, e vërteta është krejt ndryshe: ai kërcënoi lojtarët kuqezi!

Sport

08/04/2015 11:32

Në pritje të vendimit të KAS-it të Lozanës, për apelimin e bërë si nga Serbia, që ka kërkuar t’i kthehen tri pikët pasi Komisioni i Disiplinës në UEFA ia ka hequr pasi “dështoi në mbarëvajtjen dhe organizimin e ndeshjes”, ashtu edhe nga Shqipëria, që ka kërkuar të rishikohet vendimi i Disiplinës (datë 16 dhe 17 vendimet përfundimtare), një tjetër ngjarje është zhvilluar “në heshtje”, shkruan “Korneri.com”.

Një vendim gjykate i marrë në formë të prerë dhe “me silenciator”, pasi janë marrë në pyetje dy dëshmitarë kyç të ngjarjes. Po flasim për tmerrin e Beogradit, atë mbrëmje të 14 tetorit të vitit të shkuar, në sfidën Serbi-Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2016, në Francë.

Një ngjarje e cila vazhdon të bëjë jehonë edhe në ditët e sotme por që, përveç kësaj, ka ndezur edhe një luftë juridike e cila brenda disa ditësh do të mbyllë përfundimisht “kapakun” në istancën e fundit juridike dhe jo sportive.

Por, le të kthehemi tek vendimi i turpshëm që është konsumuar vetëm dy javë më parë, kur Gjykata ka lënë të “lirë” Ivan Bogdanov, ultrasin e Crvena Zvezdës, lider i grupimit “Delije”, duke mos e konsideruar shkelje futjen në fushë bashkë me disa të tjerë, pas minutës së 41-të të ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Kanë mjaftuar dy dëshmi të dy policëve që ndodheshin aty atë natë, për të hequr çdo dyshim dhe në mënyrë të turpshme të shpallfin jofajtor Bogdanovin… “Atë mbrëmje, Bogdanov u fut në fushë dhe në fillim menduam se do të shkaktonte trazira, por kur e pamë të fliste me policinë, rojet e sigurisë dhe futbollistët, duke qetësuar të gjithë dhe duke i kërkuar tifoazëve të ktheheshin në tribuna dhe të mos qëndronin aty, kuptuam se kishte hyrë për të kthyer gjithçka në normalitet dhe për të qetësuar gjakrat”.

Një dëshmi e cila ka qenë thuajse e ngjashme me atë të vetë tifozit, i cili ka deklaruar se qëllimi i tij nuk ishte të shkaktonte trazira dhe të prishte punë, por të mundohej të shmangte kaosin që ishte krijuar, duke qenë më pranë tifozerisë vendase.

Edhe avokatja e Bogdanovit, në një deklaratë të dhënë për gazetën “Kurir”, e famshme në Serbi, ka mbrojtur klientin e saj duke thënë se ai është “i pafajshëm” dhe s’duhet të përndiqet penalisht nga Prokuroria e Beogradit.

E vërteta – E vërteta e asaj mbrëmje është krejt ndryshe nga historia që serbët tregojnë. Në fakt, Bogdanov bashkë me një grupim prej pesë vetësh, u fut në fushë nga një nga tribunat, duke iu drejtuar futbollistëve kuqezi dhe duke bërë gjeste kërcënuese ndaj tyre. Ishin lojtarët serb ata që e ndalën duke shmangur ndoshta diçka më të rëndë dhe një konfrontim. Madje, njëri mbante togëzën e rripit në dorë… Nëse ishin futur për të qetësuar gjakrat, pse duhet të drejtoheshin nga lojtarët e Shqipërisë dhe jo ku ishin tifozët e tyre?!

5 Vjet

Burg rrezikonte Bogdanov, sipas procesverbalit dhe në sajë të faktit se ishte përsërits. Madje, në rast se akuzat do të ishin për akte të dhunshme në fushën e lojës, mund të shkonte deri në 12 vjet burg. Por, asgjë nga këto s’u vërtetua

Djegia e flamurit kuqezi në Xhenova

Një nga precedentët kryesorë të Ivan Bogdanovit kanë qenë trazirat në stadiumin “Luigi Ferraris” të Xhenoas, ku në vitin 2010, në sfidën Itali-Serbi, ai arriti që të mbante “peng” një stadium të tërë, duke u ngjitur në një pjesë të tribunës anësore dhe pasi preu me pincat telat rrethues, mbi traun ndarës me fushën, dogji flamurin shqiptar, duke bërë edhe shenja nacionaliste dhe naziste. Për këtë gjest dhe trazirat e krijuara u dënua me 2 vjet burg, nga të cilat bëri vetëm 1 vit e pak muaj dhe në burgje të “dorës së dytë”. Fillimisht tek ai i grave, në Xhenova, më pas në Beograd.

“Ivani i tmerrshëm”, agjent i sigurimit

Në një version të dalë jo shumë kohë më parë, thuhej se sipas disa burimeve, Ivan Bogdanov është ende pjesë e sigurimit serb dhe se, pikërisht duke u ngarkuar me shumë detyra të posaçme, paguhet nga qeveria serbe. Jo më kot, ai shpesh i shpëton çdo akuze, është gjithmonë në stadium dhe, madje, pas ngjarjes së ndodhur në Xhenova të Itali, teksa u ekstradua pëfitoi nga një amnisti që e nxorri nga burgu 8 muaj përpara kohe.

U fsheh në Kosovë

Sipas medieve serbe, dy ditë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, e braktisur, Bogdanov, në sajë të lidhjeve të tij, është fshehur për disa kohë në Kosovë, në zonën e Metohisë. Edhe pse këto lajme kurrë nuk u vërtetuan, fakti është se ai thuhet se ka ende lidhje me Kosovën dhe disa tifozë që ndodhen aty.