​Ministrja Hajdari ‘nuk bëhet rehat’ me Sekretar të Përgjithshëm, shkarkon Latifajn dhe ja kë e emëron në vend të tij

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ‘nuk po bëhet rehat’ me Ushtrues Detyre të Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë. Ministrja e MINT, Hajdari ka shkarkuar nga pozita zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, Daut Latifaj. Sipas burimeve të KosovaPress, janë dy çështje për të cilat pretendohet se është marr ky vendim nga ministrja e…

Lajme

10/05/2024 15:37

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ‘nuk po bëhet rehat’ me Ushtrues Detyre të Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë.

Ministrja e MINT, Hajdari ka shkarkuar nga pozita zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, Daut Latifaj. Sipas burimeve të KosovaPress, janë dy çështje për të cilat pretendohet se është marr ky vendim nga ministrja e MINT, Rozeta Hajdari ndaj bashkëpunëtorit të saj të ngushtë, Daut Latifaj. Mësohet se njëri ka të bëjë me shkelje flagrante, ndërsa tjetri për çështje te komisioneve për grante dhe subvencione. Pra ministrja Rozeta Hajdari me këtë veprim ka arritur të bëjë shkarkimin e Sekretarit të tetë brenda 3 viteve. Për këtë vendim, KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje nga ministrja Hajdari dhe Zyra për Komunikim Publik në MINT, por nuk janë përgjigjur.

Mësohet se më 3 maj, Sebahate Bushrani është emëruar UD. Sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Po ashtu sipas njoftimit të siguruar nga KosovaPress, Avdullah Jasiqi është emëruar UD. i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovë.

“Bazuar në vendimin e Kabinetit të Ministres NR. 01/27 më datë 3 maj 2024, znj. Sebahate Bushrani emërohet Ud. Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Po ashtu Avdullah Jasiqi, bazuar në Vendimin e Kabinetit të Ministres Nr. 01/30 me datë 8 maj 2024, emërohet UD. i drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, thuhet në një njoftim të Njësisë së Burimeve Njerëzore, të siguruar nga KosovaPress.

Lidhur me këtë, kryetari i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala thekson për KosovaPress se ministrja e MINT, Rozeta Hajdari ka shkelur procedurat ligjore me veprimet e fundit për emërimin e sekretares së re të Përgjithshme në këtë dikaster.

Ai thotë se kjo tregon për pasigurinë e përgjithshme të institucioneve shtetërore, pasi që sipas tij, nuk ka ndodhur në histori që brenda tri vjetëve, të ndërrohen tetë Sekretar të Përgjithshëm në MINT.

“Informacionet e fundit tregojnë dhe vendimin e ministrisë që tanimë, ministrja ka marr vendim që ta shkarkojë, gjegjësisht ta lirojë nga detyra sekretarin e deritashëm të MINT, dhe me vendimin ka emëruar një Sekretare të re, gjegjësisht ushtruese e detyrës në ministri. Që nënkupton që brenda një mandati trevjeçar është sekretari i tetë praktikisht që lëviz në pozicion në këtë ministri. Kjo tregon për pasigurinë e përgjithshme të institucioneve shtetërore duke luajtur me kuadro dhe nivele jashtëzakonisht të rëndësishme të pozicioneve qeveritare, sepse nuk kanë ndodhur në historinë tonë që brenda tri vjetëve tetë sekretarë të ndryshojnë”, tha Shala.

Ai ka shuar se në përzgjedhjen e sekretares së re në MINT, janë bërë një varg shkeljesh të procedurave ligjore.

“Është një zonjë e cila tashmë ka marrë detyrën, e që në parim ka një varg shkeljesh procedurale në këtë fushë, pra ministrja është duke e shkelur ligjin”, shtoi Shala.