Seancat solemne po shfrytëzohen për daljen nga kriza

Kuvendi i Kosovës, që nga fillimi i sesionit vjeshtor ka dështuar të mbajë mbledhje të rregullt plenare.

Lajme

04/11/2015 10:03

Por, më 30 tetor dhe 2 nëntor janë krijuar kushtet për mbajtjen e vetëm dy seancave – seanca solemne në të cilën deputetëve iu është adresuar me një fjalim presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, si dhe është mbajtur seanca për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Kushtet e njëjta do të krijohen edhe më 6 nëntor, ku do të ketë seancë solemne sërish, me ç’rast komisionari evropian për zgjerim, Johanes Hahn, do t’iu drejtohet deputetëve.

Kryesia e Kuvendi të Kosovës ende nuk ka thirrur seancë plenare, që nga mbajtja e seancës në sallë të improvizuar më 23 tetor, ku subjektet opozitare nuk e lejuan mbajtjen e seancës në sallën zyrtare.

Albert Krasniqi, nga KDI, tha për KALLXO.com, se rastisja e dy seancave solemne, dhe ajo për ratifikimin e MSA-së, janë shfrytëzuar për daljen nga kriza.

“Rastisja e dy seancave solemne dhe ajo për ratifikimin e MSA-së, janë shfrytëzuar si mundësi për t’u dhënë hapësirë të gjitha palëve që të kenë një reflektim më të thellë për mundësitë e daljes nga kriza, duke ju ofruar përkohësisht ndjenjën e normalitetit”, tha Krasniqi.

Sipas tij, seanca e mbajtur në sallë të improvizuar ka pasur shkelje të shumta.

“Ka pas shkelje të shumta procedurale, ku pa një vendim të kryesisë për përjashtim të deputetëve që kanë penguar mbarëvajtjen e punimeve, kolektivisht janë përjashtuar të gjithë deputetët e opozitës duke mos i njoftuar për ndryshimin e sallës”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, seanca plenare e radhës ka mbetur të thirret vetëm pasi të ketë një konfirmim të qartë nga ana e policisë dhe organeve tjera të rendit, se në sallë nuk do të futet asnjë mjet i rrezikshëm, përndryshe deputetët refuzojnë të marrin pjesë.

“Mbase mungesa e një konfirmimi të tillë, mund të jetë njëra nga arsyet pse nuk është thirrur në ndërkohë ndonjë seancë plenare”, theksoi Krasniqi.

Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së, i pyetur nga KALLXO.com se kur planifikohet të mbahet seancë e re, apo do të ketë vetëm seanca solemne, tha se për këtë vendos Kryesia.

“Për seancë të re vendos Kryesia e Kuvendit. Kuptohet që ne jemi për atë që të kemi seanca pune (si kjo e MSA-së) por edhe seanca solemne”, tha Beqiri.

Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, ka thënë për KALLXO.com, se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, janë dakorduar për dy çështje që të lejojnë mbajtjen e seancës për miratimin e projektligjit për MSA-në si dhe për seancën e 6 nëntorit.

Sipas saj, opozita tashmë ka treguar që nuk do të vazhdohet me seanca të rregullta ndërsa mbajtjen e seancës për MSA-në e kanë lejuar për hir të qytetarëve.

“Kjo që doli në ndërkohë ishte e papritur që ishte projektligji për MSA-në dhe duke e ditë vullnetin e qytetarëve ndonëse të pa analizuar të cilën ne natyrisht që nuk e përkrahëm për shkak të përmbajtjes që e ka, për hir të qytetarëve të Kosovës ne e lejuam që kjo të procedohet normalisht në Kuvend ndonëse nuk e votuam”, tha ajo.

Për vazhdimin e seancës së rregullt, pa u tërheq nga pozicioni aktual që ka Qeveria karshi marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, sipas Dërgutit nuk do t’i kthehen normalitetit.