Rusia duhet t’i paguajë kompanisë Yukos 51 miliardë dollarë

Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë e ka urdhëruar Rusinë që grupit të aksionarëve të kompanisë së naftës Yukos, t’ia paguajë mbi 51 miliardë dollarë, në afat prej 180 ditëve. 

Bota

28/07/2014 17:23

Sipas vendimit të kësaj gjykate në Hagë, dëmshpërblimi duhet të paguhet sepse zyrtarët rusë nën udhëheqjen e presidentit Vlladimir Putin e kanë manipuluar sistemin ligjor rus për të bankrotuar kompaninë në fjalë.

Rusia ka afat 180 ditë, pra deri më 15 janar të vitit 2015, që të fillojë pagesën prej 51 miliardë dollarëve.

“Pas kësaj periudhe, interesi vetëm do të rritet”, ka thënë avokati kryesor i grupit të aksionarëve të Yukos, Emmanuel Gaillard.

Pagesa prej 51 miliardë dollarëve është arbitrazhi më i madh i caktuar ndonjëherë nga Gjykata në Hagë, ka thënë Tim Osborne, drejtori i grupit të aksionarëve të Yukos.

“Jam tejet i kënaqur të konfirmoj se pagesa finale, që ka qenë unanime, shkon shumë në favor të ankuesve”, ka thënë Osborne gjatë një konference me gazetarë.