Rusia akuzohet për vendosje të mbrojtjes raketore në lindje të Ukrainës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Rusinë se ka vendosur sisteme të reja të mbrojtjes raketore në lindje të Ukrainës, dhe se është përfshirë në trajnimin e forcave separatiste në zonë.

Bota

23/04/2015 09:58

Në një konferencë për medie në Washington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ka thënë se kjo është sasia më e madhe e pajisjeve të mbrojtjes ajrore ruse në lindje të Ukrainës, qysh nga muaji gusht.

“Forcat e kombinuara, ruse dhe separatiste kanë shkelur kushtet e Marrëveshjes së Minskut, duke e mbajtur artileri dhe raketa të shumta në zonën e ndaluar. Natyra gjithnjë e më komplekse e trajnimit të forcave pro-ruse në lindje Ukrainë, nuk lë asnjë dyshim se Rusia është i përfshirë”, ka thënë Harf, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Marie Harf

Marrëveshja e armëpushimit ndërmjet forcave qeveritare ukrainase dhe rebelëve prorusë në lindje Ukrainë u ndërmjetësuar nga Perëndimi në Minsk, në muajin shkurt.

Por Ukraina vazhdon të akuzojë Rusinë për armatosjen e rebelëve dhe dërgimin e trupave ruse brenda kufirit të saj, gjë të cilën Moska zyrtare gjithnjë e mohon.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë qëkur ajo aneksoi gadishullin ukrainas, Krimenë, vitin e kaluar, dhe nxiti separatizmin në dy rajone të tjera të shtetit fqinj të saj.

Më parë këtë muaj, rreth 300 ushtarë rezervistë amerikanë zbritën në Kiev për të për të trajnuar ushtrinë ukrainase, gjë që Rusia e komentoi si veprim që mund të destabilizojë seriozisht situatën në Ukrainë.

Sipas OKB-së, të paktën 6000 njerëz janë vrarë nga luftimet që filluan në rajonin e Donetsk dhe Luhansk në prill të vitit të kaluar – një muaj pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë. Dhe pavarësisht Marrëveshjes së armëpushimit, ende ka shkëmbime sporadike zjarri në këto dy rajone. /lajmi.net/