Rugovizmi i Teuta Rugovës

Isa Mustafa është i interesuar të harrohet humbja e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Për të arritur këtë synim, atij i duhet të shkaktojë bllokimin e institucioneve, si nw vitin 2014. Nuk e ka problem që këtë bllokim e bën së bashku me VV, njerëzit e së cilës e kanë sulmuar me mollotov edhe në shtëpi, e kanë sulmuar me gozhda në rrugë, ia kanë ngritur shtatëdhjetë akuza në prokurori dhe e kanë fyer me fjalët më të rënda. Problemi i tij i vetëm është si ta shpëtojë karrigen e kryetarit të partisw, qoftë dhe me ndihmën e militantëve të VV. Nuk e ka aspak problem se kështu po e fundos LDK-në edhe më shumë.

Opinion

05/08/2017 21:29

Përderi sa Isa Mustafa i ka planet e veta, nuk është e qartë se si është e mundshme që i gjithë kreu i partisë e përkrahë këtë synim të tij. Por kjo do të thotë se brenda partisë nuk ka mbetur asnjë person me ambicie për t’u bërë lider. Po të kishte të tillë, ata/ato do të duhej të kërkonin futjen e LDK-së në koalicion me PAN-in. Kjo zgjidhje pashmangshëm do ta detyronte Isa Mustafën të jipte dorëheqjen, sespe ai kurrsesi nuk mund ta gëlltitë që të bashkëqeverisë sërish me PDK-në. Versioni tjetër mund të ishte kërkesa e prerë për të mbetur LDK-ja në opozitë. Edhe mbetja në opozitë, pashmangshëm Isa Mustafën e largon nga drejtimi i LDK-së, që në kuvendin e saj të radhës.
Nuk besoj se nuk ka figura që kanë ambicie për të marrë drejtimin e LDK-së. Të tillë ka, por duket sheshit se janë frikacakë. E duke qenë frikacakë, askush nuk mund të bëhet lider. Meqë Isa është i rrethuar nga bashkëpunëtorë frikacakë, që nuk guxojnë ta sfidojnë as humbësin, Isa Mustafa sërish i prin plot komoditet procesit të bllokimit të institucioneve. Duket se brenda LDK-së ai e ka cimentuar gjendjen, me instalimin e krahut të Riinvestit, me çka edhe ka imponuar një frymë të kundërt me frymën tradicionale të LDK-së, e cila ishte frymë tipike e kompromisit.
Unë nuk njoh në politikën e Kosovës një politikan që ka bërë më shumë kompromise se sa Ibrahim Rugova! Kujtoni qeverinë në ekzil: të gjithë ministrat ishin të grupimeve të tjera, vetëm Bukoshi i LDK-së. Kujtoni formimin e grupit 15: shumica absolute në atë grup ishin kundërshtarë të Ibrahim Rugovës.
Kujtoni Konferencën e Rambujesë: Rugova duke qenë president i zgjedhur me votë direkte, bëri kompromis dhe e la vendin e kryesuesit të delegacionit. Kujtoni themelimin e qeverive Rexhepi e Haradinaj, me ç’rast ua la vendin e kryeminstrit dy partive rivale. Prandaj, në bazë të kësaj trashëgimie tipike rugoviste, nëse dikush ka mbetur rugovistë në LDK, është vetëm Teuta Rugova, e bija e presidentit Ibrahim Rugova, e cila këto ditë ka ofruar shembullin e kompromisit politik. Pavarësisht motiveve, të cilat nuk i di dhe s’kam si t’i komentoj, gjesti i saj është tipik rugovist.
Prandaj selfia e një rrugaqi, që është bërë deputet nën siglën e rugovizmit, vetëm për të përfituar, por pa e ditur se çka është faktikisht rugovizmi, është e turpshme. Rugova do ta miratonte kompromisin e së bijës. Dhe atë rrugaq-deputetin do ta quante me termin e vet të preferueshëm: “infantil”. Personalisht uroj që gjesti i Teuta Rugovës të jetë i motivuar nga ndjekja e frymës së politikës së babait të saj. Por, pavarësisht motiveve, gjesti në atë frymë është.
Nëse LDK mbetet në opozitë dhe nëse Isa Mustafa largohet nga drejtimi i saj, merita do të ishte e një personi të vetëm: Teuta Rugovës. Personalisht do ta përjetoja edhe si përmbushje të një dëshire të fshehtë të ish presidentit Rugova, që dikush nga të tijët të hakmirrej për uzurpimin e partisë së tij nga një ish aparatçik i LKJ-së, kundër së cilës Rugova punoi me maturi, por me vendosmëri.