Rreziku më i madh në politikën kosovare

Mëkëmbja e emëruesit të përbashkët në politikën kosovare, është kusht pa të cilit nuk bën, nëse duam t’i shmangim skenaret e rrezikshme për Kosovën.

Opinion

08/01/2016 12:07

Nëse do të provohej të gjindej një emër i përbashkët i gjendjes politike në vend, e cila ka hyrë në stinën dhe në vitin e dytë të saj në trajtë të përplasjeve të vazhdueshme në relacionet midis opozitës parlamentare dhe Qeverisë së Kosovës, mbase, ky do të shfaqej në formë të mungesës së emëruesit të përbashkët të politikës në Kosovë.

Është kjo një dukuri e re në Kosovë, jo vetëm nëse kthehemi pas në zhvillimet që karakterizuan këtë vend, që prej bërjes së shtetit, në shkurtin e vitit 2008-të e këndej, por realisht, që nga çlirimi i Kosovës dhe deri më sot.

Vetë ky fakt, pra, i këtij deficiti politik, flet më shumë se gjithçka tjetër që politika në Kosovë ka pësuar një rënie të madhe, një devalvim të përmasave të rrezikshme për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës.

Demokracia nënkupton kudo një shumësi entitetesh politike, të cilat gjithsesi dakordohen që të funksionojnë si të tilla, në kuadër të një kornizë legale dhe të mirëkuptimit politik të cilët janë pikërisht emërues i përbashkët ligjor dhe politik në një vend.

Çfarë kanë qenë elementet kyç të këtij emëruesi në Kosovë, i cili edhe këtupari  (si kudo në Botën demokratike), mëton të sigurojë stabilitetin politik dhe legal?

Dimensioni legal është fare mirë i njohur. Ai nënkupton që shteti i Kosovës duhet të funksionojë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve. Nuk mund të ketë interpretim subjektiv politik të tyre, ato nuk mund të shpjegohen duke pasë parasyshë rrethanat e reja politike në vend. Ato rrethana, nëse sjellin në skenë lajmin e shpërputhjes së bazës legale me realitetin e ri në vend, shkaktojnë nismat legjislative për ndryshimin e Kushtetutës dhe të Ligjeve. Procedurat e ndryshimit të tyre janë të sakta, të qarta, të njohura. Edhe ndryshimi i Kushtetutës dhe i Ligjeve, i nënshtrohet procedurave të parapara me Kushtetutë dhe me Ligj. Nuk bën ndryshe.

Dimensioni i legjitimitetit poashtu është i ditur ndër ne. Ai nënkupton që mënyra e ndërrimit të Qeverisë dhe të Kuvendit, apo, e marrjes së mandatit të ri nga qytetarët e Kosovës, mund të ndodhë vetëm përmes zgjedhjeve të reja, të cilat njohin edhe kategorinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por si mbërrihet tek votimet e parakohshme, jashtë apo para orarit të zgjedhjeve të rregullta, edhe kjo është e saktësuar me procedurat legale, të cilat janë thelbi i demokracisë. Nuk bën ndryshe.

Ekziston edhe dimensioni i pastër politik në shoqëritë demokratike, çfarë pretendon të jetë Kosovës. Edhe ky aspekt ka qenë në fuqi në Kosovë deri në vjeshtën e vitit të kaluar. Ai ka nënkuptuar që problemet e mëdha politike, të cilat shfaqen në Kosovë  (e nuk ka shoqëri demokratike pa probleme që e sfidojnë atë), duhet të adresohen dhe të zgjidhen me dialog politik, qoftë në kuadër të institucioneve, apo edhe me mekanizmat e veçantë që krijohem me qëllim të qartë për ta tejkaluar një pengesë që është paraqitur në rrjedhat politike në vend. Ekziston, madje, siç e dimë të gjithë, edhe dialogu social midis sindikatave dhe Qeverisë së Kosovës, në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë në statusin social të qytetarëve të Kosovës.

I kësaj natyre është edhe zotimi evro-atlantik i Kosovës, dhe gjithsesi, domosdoshmëria e ruajtjes së miqësisë së Kosovës me SHBA-në, kur dihet se çfarë roli ka pasë Amerika për së paku një çerek shekulli, në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës, në përkrahjen e kauzës kosovare, në çlirimin dhe në bërjen e shtetit të Kosovës.

Nëse politika aktuale kosovare shqyrtohet dhe analizohet nga perspektiva e këtyre tri dimensioneve themelore të emëruesit të përbashkët, mund të mbërrihet lehtë te konkludimi që shfaqë çarjet sinjifikative në respektimin e tyre në politikën vendore.

Mëkëmbja e emëruesit të përbashkët në politikën kosovare, është kusht pa të cilit nuk bën, nëse njëmend duam t’i shmangim skenaret e mbrapshta dhe të rrezikshme për Kosovën.

Nuk ka dyshim që hapi i parë dhe më i rëndësishmi në këtë nismë do të duhej të ishte fillimi i një dialogu të pakushtëzuar politik midis Qeverisë dhe opozitës parlamentare, për trajtimin e çështjeve kryesore kontestuese politike në vend.

Nëse mbërrihet tek ky dialog, sërish duhet përsëritur, të pakushtëzuar, do të dëshmohet prej të gjithë subjekteve politike, që është kuptuar rëndësia e ri-bërjes së emëruesit të përbashkët pa të cilin nuk ka stabilitet të Kosovës.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)