Rrëfimi i Borchard

Shefi i EULEX'it, Bernd Borchard, rrëfen ditën e zgjedhjeve në Veri. Përmend pengesat politike të Policisë së Kosovës. Thotë se më nuk do të lejojë përsëritjen e incidenteve. Flet edhe për aktakuzën ndaj \"Grupit të Drenicës\", si dhe për mandatin e EULEX’it.

Lajme

09/11/2013 10:23

Shefi i EULEX’it, Bernd Borchard, thotë se institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë kanë treguar profesionalizëm në zgjidhjen e situatës së sigurisë gjatë 3 nëntorit në Veri.

Në një intervistë për Deutche Welle, Borchard ka dhënë hollësi lidhur ngjarjen e zhvilluar gjatë ditës së diel në Veri.

Ai tha se intervenimi Policisë së EULEX’it ka ardhur pas lutjes së bërë nga ana e Policisë së Kosovës, në momentin kur, siç i quan ai, vandalët serbë filluan demolimin e vendvotimeve.

Borchard ka folur edhe për aktakuzën ndaj “Grupit të Drenicës” dhe kritikat që i janë bërë EULEX’it nga ana e organizatave të dala nga lufta.

“Zgjedhjet në përgjithësi kanë kaluar shumë qetë. Në jug të Kosovës ka pasur disa incidente të vogla, ndërsa në dy komuna të Veriut ka pasur po ashtu disa incidente të vogla. Në prag të zgjedhjeve nën udhëheqjen e EULEX’it dhe me pjesëmarrjen e OSBE’së, KFOR’it dhe Policisë së Kosovës ne kemi hartuar një koncept të sigurisë”.

“Ky koncept parashikonte që EULEX dhe ushtarët e NATO’s të kenë një prezencë të kufizuar në opinion. Ne kemi pasur vetëm një rol reagimi në qoftë se Policia e Kosovës nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të vënë nën kontroll ndonjë situatë të caktuar, apo për shkaqe të ndryshme nuk është në gjendje të reagojë”.

“Diku nga ora 17:00 u shënua sulmi i parë në Veri të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe. Policia e Kosovës na u lut për mbështetje dhe ne e kemi dërguar atje njësinë tonë policore për ndërhyrje brenda më pak se pesë minutash me automjete dhe një helikopter”.

“Edhe pse ka qenë errësirë, helikopteri i ka gjetur huliganët, ose më mirë të them vandalët, dhe i ka detyruar të largohen. Kështu ka përfunduar problemi në Veri të Mitrovicës”.

“Më pas na kanë ardhur informacione se një grup vandalësh është mbledhur edhe në Zveçan, në një qytet të vogël afër Mitrovicës, dhe se ata duan të sulmojnë vendvotimet. Ne kemi dërguar atje policinë tonë për ndërhyrje, ndërkohë që edhe KFOR’i ka dërguar forcat e veta me tren”.

“Forcat tona janë sulmuar me gurë, por kur e kanë parë se policia ka zbritur nga automjetet, vandalët kanë ikur. Më pas kemi ndihmuar kolegët tanë të OSBE’së që të tërhiqen. I gjithë aksioni ka përfunduar në orën 21:30 dhe nga ana jonë apo nga OSBE, nuk ka pasur asnjë të plagosur ose të lënduar. Ndaj mund të thuhet se çështja është zhvilluar dhe ka përfunduar në mënyrë profesionale”.

Borchardt, në vijim të intervistës për Deutsche Welle, ka shpjeguar se kërkesa e Policisë së Kosovës ka ndodhur pasi që “politikisht është e pamundur që të dërgojë forca shtesë nga Jugu në Veri”.

“Zgjedhjet nuk janë ndërprerë në Veri të Kosovës, ose në Veri të Mitrovicës, por vetëm në tri vendvotime, ku votimet janë shpallur të pavlefshme. Dy prej këtyre vendvotimeve janë sulmuar, kutitë me vota janë shkatërruar dhe zgjedhjet janë komprometuar. Më 17 nëntor atje do të përsëriten zgjedhjet. Policia e Kosovës na u lut për ndihmë, sepse ajo për shkaqe politike nuk mund të dërgojë trupa shtesë nga jugu i banuar me shumicë shqiptare. Pas sulmeve nga grupe të mëdha vandalësh, ata kanë kërkuar ndihmë prej nesh dhe ne u kemi ardhur në ndihmë”.

Kreu i EULEX’it ka thënë se deri më tani janë arrestuar disa persona, por  nuk ka mundur të japë detaje tjera, pasi që, sipas tij, mund të ndikojë në procesin e hetimeve.

Borchardt ka pohuar se EULEX së bashku me forcat tjera të sigurisë do të përgatiten që të mos ketë përsëritje të atyre skenave edhe gjatë rivotimeve të 17 nëntorit. Ka thënë se ende nuk e di nëse këto grupe i takojnë ndonjë përbërje të organizuar ushtarake nga Serbia.

“Ne po jetojmë këtu në Ballkan, i cili është përplot me spekulime dhe me teori komplotesh. Njerëzit këtu i duan gjërat e këtilla. Ndërsa ne bazohemi vetëm mbi faktet që kemi zbuluar”.

“Sa i përket dy personave të arrestuar për sulme të vogla, njëri prej tyre është nga Serbia ndërsa tjetri një serb nga Veriu i Kosovës. Se kush janë vandalët që kanë sulmuar vendvotimet në mbrëmje, do të dihet pas gjetjes dhe arrestimit të tyre. Por ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë edhe me Beogradin në këtë drejtim”.

“Pasqyrimi i gjendjes së përgjithshme ka qenë shumë pozitiv. Policia e Kosovës ka reaguar shumë profesionalisht. Policia ka mundur që në Veri t’i shpërndajë grupet e vandalëve në disa vende, ndërsa në një vend grupet e vandalëve i kemi shpërndarë ne para se të shkaktojnë dëme më të mëdha, përveç dëmtimeve të vogla të automjeteve”.

I pyetur nëse Misioni Europian për Sundim të Ligjit do të largohet në qershor të vitit të ardhshëm nga Kosova, Borchardt ka thënë se kjo varet nga Kuvendi i Kosovës.

“Kjo është një temë për të cilët ndërkohë po diskutohet me tone shumë më të qeta. Por, deri tani ende nuk ka ndonjë rezultat konkret, sepse për këtë duhet të dakordohet Qeveria e Kosovës. Në Parlamentin e Kosovës duhet të sigurohen 2/3 e votave, ndërkohë që me këtë vendim duhet të dakordohen edhe 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Kjo kërkon pak më shumë kohë”.

Lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj ish komandantëve të Zonës Operative të Drenicës të UÇK’së, Borchardt ka thënë se ky vendim ka ardhur në bazë të hetimeve të rregullta që janë bërë nga Prokuroria.

Ai ka folur edhe për problemet që kanë në sigurimin e dëshmive për ngritjen e akuzave për krime lufte.

“Aktakuza është një procedurë normale. Janë zhvilluar hetimet e Prokurorisë dhe është arritur në konkluzionin se personat duhet të arrestohen dhe të ngrihet aktakuza kundër tyre”.

“Dëshmitarët për krime lufte janë gjithnjë një çështje problematike. Ata janë njerëz shumë të traumatizuar dhe kur keni punë me ndonjë person të traumatizuar, ndonjë herë keni probleme me qëndrueshmërinë e dëshmive gjatë marrjes në pyetje në gjykatë. Ndërkohë që ne kemi pasur shpesh probleme edhe me frikësimin e dëshmitarëve”, ka thënë Bernd Borchardt për Deutche Welle.