Rrahje masive e ndjekje si në filma në Mitrovicë

Një rrahje masive mes shumë personave ka ndodhur mbrëmë rreth orës 2:10 të mëngjesit në veri të Mitrovicës me ç’rast, pesë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e këtij qyteti, ndërsa ka pasur edhe automjete të dëmtuara.

Lajme

02/01/2016 11:16

Qytetarët e asaj pjese janë shqetësuar tej mase nga ndjekjet me automjete nëpër rrugët e qytetit, zhurma dhe gjithçka që kanë parë nga ballkonet e tyre, ndërsa kanë bërë të ditur se janë përdorur edhe armë të ftohta.

Snezhana K, qytetare nga veriu i Mitrovicës, i ka thënë KosovaPress-it se diçka të tillë kishte parë vetëm në filma.

“Kemi qenë të zgjuar në banesë duke festuar. Kam dëgjuar zhurmë të pazakontë të njerëzve duke bërtitur me zë të lartë dhe kam dal në ballkon. Kam parë shumë njerëz duke u rrahur mes vete, pastaj duke thyer një automjet, e duke u ndjekur nëpër rrugë. Kam parë gjithçka si në filma dhe jam tronditur”, tha ajo.

Mësohet po ashtu se policia në veri të Mitrovicës ka aktivizuar mbrëmë planin operativ ‘unaza e çeliktë’, dhe kanë kërkuar ndihmë edhe nga stacioni policor në Zveqan.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se gjithçka ka filluar në kafeterinë ‘Crna Dama’ që ndodhet në veri të Mitrovicës, ku protagonisti kryesor ka qenë Marko Antiq, i njohur si pjesë e një grupi kriminal në atë pjesë.

“Marko Antiq me grupin e tij ka sulmuar një grup nga Zubin Potoku, të cilët ishin duke festuar në Crna Dama, me ç’rast shumë persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa pesë prej tyre janë paraqitur në spital për trajtim. Incidenti që ka zgjatur më shumë se 40 minuta ka vazhduar edhe nëpër rrugët e qytetit. Po ashtu, policia ka aktivizuar planin operativ ‘unaza e çeliktë’ duke bllokuar shumë rrugë për të kapur pjesëmarrësit në këtë incident”, kanë thënë mes tjerash burimet.

Sipas këtyre burimeve, incident të ngjashëm ka pasur mbrëmë edhe në kafeterinë ‘Trebjesa’ në Zveqan, ku janë përfshirë disa persona, ndërsa motivi nuk dihet.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress ka kontaktuar spitalin në veri të Mitrovicës, me ç ’rast ka konfirmuar se disa persona nga Zubin Potoku kanë kërkuar ndihmë mjekësore mbrëmë, si pasojë e një incidenti që ka ndodhur në qytet.

“Po, është e vërtetë se disa persona nga Mitrovica dhe Zubin Potoku janë paraqitur në spital mbrëmë me lëndime të cilët i kemi trajtuar. Mëvjen keq, por emrat, numrin, gjendjen e tyre, kohën dhe detaje tjera nuk mund t’ju jap. Kështu e kam urdhërin”, ka thënë për Kosovapress përmes telefonit personi nga spitali i veriut të qytetit që është prezantuar me emrin Mica.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë edhe zëvendës drejtorin e policisë në veri të Mitrovicës, Besim Hoti, për të marrë ndonjë deklaratë rreth këtij incidenti,por ainuk e ka hapur telefonin. /KosovaPress/