Rol më i madh i Europolit në luftën kundër emigrimit të paligjshëm

Agjencia e policisë evropiane Europol synon të luajë një rol më të madh në luftën kundër rrjeteve të imigracionit të paligjshëm në Mesdhe duke dërguar ekspertë në vendet kryesore të mbërritjes së imigrantëve, deklaroi sot drejtori i saj, Rob Wainwright.

Bota

24/04/2015 23:01

“Vendimet e miratuara nga drejtuesit evropianë gjatë samitit të të enjtes kushtuar kësaj çështjeje parashikojnë një rol në rritje të Europolit, veçanërisht përsa i përket kapjes së rrjeteve të trafikantëve”, theksoi Wainwright në një konferencë shtypi.

“Ne parashikojmë dërgimin e ekspertëve në vendet e vendosura në linjën e parë si Greqia dhe Italia”, nënvizoi ai.

“Agjencia evropiane u ngarkua gjithashtu nga drejtuesit evropianë të mbikëqyrin mënyrën se si përdoret interneti nga rrjetet kriminale për rekrutimin dhe transferimin e viktimave”, shtoi drejtori.

Pas mbytjes së një anijeje që shkaktoi më shumë se 700 të vdekur në brigjet libiane, presidentët dhe kryeministrat e BE-së u angazhuan dje për shkatërrimin e rrjeteve të trafikantëve dhe nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë dhe sekuestrimin e të ardhurave të tyre.