Rock muzika po zbehet!

Rokerët vazhdojnë të mbesin një komunitet i veçantë, jo shumë i kërkuar nga publiku dhe pak i vlerësuar nga shteti. Vërehet qartë se sytë e shumicës së publikut janë të drejtuar nga këngëtarët e zhanreve tjera, që kryesisht janë ata të muzikës komerciale.

ShowBiz

14/04/2015 13:30

Megjithatë, personat që i mbesin besnikë muzikës rok, madje edhe një stili të tillë të jetës, po jetojnë ende. Ata vazhdojnë ta duan këtë jetë dhe këtë muzikë, njëjtë si në fillimet e tyre. Nuk u dorëzuan kurrë para përfitimeve, të mundshme, të performimit të ndonjë zhanri tjetër të muzikës.

Rok këngëtarët edhe pas sa kohe që prej kultivohet kjo muzikë në Kosovë, vazhdojnë të ndihen të pakënaqur me rëndësinë që i jepet kësaj muzike dhe vendin që ky zhanër ka në vendin tonë. Për t’u çuditur, por shumë prej tyre kanë harruar që sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Rokut.

Mendohet që arsyet që roku po bie çdo herë e më tepër, janë ato ekonomike, pra fitimet e vogla që vijnë nga kjo muzikë. Andaj, edhe rok këngëtarët e zëvendësojnë muzikën rok me muzikën ‘turbo folk’, ‘tallava’ e të tjera.

Në Kosovë kanë mbetur pak artistë të muzikës rok. Një prej tyre që i ka qëndruar besnik kësaj rryme muzikore është Bajram Bylykbashi i njohur si BB Poqi.

Për KosovaPress, ai thotë se në Kosovë nuk ka numër të kënaqshëm të bendeve apo këngëtarëve të muzikës rok. Sipas tij, vitet e kaluara, në Kosovë ka pas numër më të madh të rokerëve, por që ky numër gradualisht po bie.

“Niveli i rok muzikës në Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm, ndoshta mund të them fatkeqësisht pse, arsyeja kryesore është që numri i bendeve apo personave që merren direkt me rok muzikë nuk është i kënaqshëm. Duke u nisur prej faktit që nuk ka prodhim, nuk ka albume, nuk ka videoklipe, ka po shumë pak. Janë disa bende që mund t’i numërojmë në gishta edhe që performojnë, që bëjnë rok muzikë. Krahasuar me vitet e kaluara, niveli i rok muzikës ka qenë nivel shumë i lartë në Kosovë, edhe ne kemi qenë mostër për të gjithë shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri, ose Maqedoni , ose në Mal të Zi, ose në Preshevë e kudo që janë. Por tash është niveli pak ma i ulët edhe po mendoj që duhet shtyrë njerëzit, sidomos gjeneratat e reja që të merren me rok muzikë se rok muzika është përnjëmend një shprehje e protestës ndonjëherë, e kënaqësisë ndonjëherë, e dashurisë ndonjëherë edhe mesazh i paqes mes njerëzve dhe harmonisë mes njerëzve”, ka deklaruar BB Poqi.

Ai thotë se muzika me të cilën merren tani artistët që dikur ishin rokerë, mund të jetë fitimprurëse vetëm për një kohë të shkurtër. Sipas BB Poqit, në vendin tonë vlerësohet pamja vizuale dhe kjo bën që këngëtarët rok të jenë një komunitet i lënë anash dhe që shumë të tjerë të largohen nga kjo muzikë. Ai edhe në kohët më të vështira, pra gjatë luftës, nuk e ka tradhtuar këtë muzikë dhe për këtë është krenar.

Edhe Emir Plava, këngëtar-roker prej kohësh, thotë se kjo muzikë nuk po avancohet që prej vitesh. Për më tepër, siç thotë ai, me kalimin e kohës gradualisht po bie. Sipas tij ka 30 vite që prej kur kjo muzikë s’ka shënuar asnjë përparim për arsye të përfitimeve të vogla që ka kjo rrymë muzikore.

Plava thotë që këngëtarët rok shqiptarë janë limituar me trojet shqiptare, ndërsa muzika rok është kulturë ndërkombëtare.

“Roku është në të njëjtin vend që ka qenë para 30 viteve, në asnjë vend. Këtu muzika kryesore është ‘turbo folk’, ‘tallava’ e do sene tjera. Roku nuk është muzikë, roku është stili i jetës. Roku ose jeton ose nuk jeton. Nuk është vetëm me bë rok, ti mundesh me bë rok, por nëse nuk jeton në atë stil, nuk kalon”, ka theksuar Plava.

Sipas tij rokerët gjithmonë kanë qenë anash dhe kjo traditë po vazhdon. Madje ai nuk shpreson që kjo do të ndryshojë sepse rokerët, sipas tij, kanë faj që nuk e kuptojnë se roku është muzikë universale dhe jo muzikë shqiptare. Plava thotë se derisa kjo të vazhdojë, gjendja e muzikës rok do të jetë e njëjta si deri më tani.

Sot, është festë e të gjithë atyre, për të cilët rokenrolli (‘rock-n-rol’l) nuk është vetëm muzikë, por edhe stil e mënyrë jetese. Kjo ditë ndërkombëtare festohet çdo vit më 13 prill, edhe pse ngjarja historike, e cila shërbeu si bazë për festimin, ndodhi një ditë më parë: më 12 prill 1954 kur Bill Haley regjistroi këngën “Rock Around The Clock”, që u bë pikë referimi për një rrymë të re muzikore, e cila shumë shpejt kaloi kufijtë e Amerikës dhe u përhap nëpër vende dhe kontinente, duke sfiduar shoqërinë dhe traditat.