Rigjykimi për vrasjen e Zija Nukës, prokurorja rikualifikon veprën penale ndaj dy të akuzuarve

Prokurorja Shpresa Bakija, ka bërë rikualifikimin e dispozitivit të aktakuzës, në rastin e gjykimit për vrasjen e Zija Nukës, për të cilin akuzohen Luan Nuka dhe Ylber Krasniqi.

Lajme

14/02/2018 15:30

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të mërkurën, ishte paraparë që shqyrtimi gjyqësor të vazhdonte më fjalët përfundimtare të palëve në këtë rast, i cili ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Mirëpo, para se shqyrtimi të vazhdonte, prokurorja Bakija, bëri rikualifikimin e dispozitivit të aktakuzës, ashtu që u hoqën fjalët “në mënyrë dinake dhe mizore”, dhe nga akuzat për vrasje të rëndë, tani Luan Nuka dhe Ylber Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes.

“Pas shqyrtimit dhe analizimit të provave të nxjerra gjatë shqyrtimeve gjyqësore, në bazë të rezultatit, bëj rikualifikimin e veprës penale, duke konsideruar se në veprimet e të akuzuarve përqendrohen elementet e veprës penale të vrasjes”, deklaroi prokurorja Bakija.

Këtë gjë nuk e kundërshtuan mbrojta e të akuzuarve, mirëpo avokati Prek Kola, kërkoi që seanca e sotme të shtyhet, pasi që në këtë rast është me autorizim zëvendësues nga avokati Ndrecë Dodaj dhe pasi që vepra është rikualifikuar, avokati i autorizuar, sipas tij, duhet të përgatisë fjalën përfundimtare në bazë të rikualifikimit të veprës penale.

Pas kësaj, gjykatësi Nikollë Komani, seancën e radhës e caktoi më 21 mars 2018, në ora 14:30.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 4 nëntor 2016, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve në këtë rast. Luan Nuka ishte dënuar me 19 vite burgim, kurse i akuzuari Ylber Krasniqi, me 17 vite burg.

Por, Gjykata e Apelit, më 27 janar 2017, e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë me arsyetimin e shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Ky rast zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 20 nëntor 2015, ku Luan Nuka dhe Ylber Krasniqi, akuzohen se më 13 prill 2015, rreth orës 21:30, në afërsi të lagjes “Koloni”, të Komunës së Gjakovës, duke vepruar së bashku e kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Zija Nuka për shkak të një borxhi të papaguar për marihuanën e blerë.

Në këtë mënyrë të ndjerin e kanë quar në një fushë të quajtur “Lugu i Qilit” ku i akuzuari Ylberi e ka mbajtur kurse Luani e ka goditur 14 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ku pas atyre goditjeve i ndjeri Zija ka vdekur dhe trupin e tij e kanë lënë afër një përroske.

Me këto veprime, tash pas rikualifikimit të aktakuzës, dy të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasja” nga neni 178, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimiperdrejtesi/