Reshitaj në Washington, pritet nga drejtori i lartë i Bankës Botërore

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, gjatë vizitës zyrtare në Washington u prit në takim nga drejtori i lartë i Bankës Botërore, Ede Jorge Ijjasz Vasquez.

Lajme

20/03/2018 16:33

Në takim ministrja Reshitaj falënderoi bankën botërore për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës, e ne veçanti  ministrisë që ajo udhëheq.

Nga ana tjetër drejtori i lartë i bankës botërore  ri konfirmoi përkrahjen për Kosovën  për  realizimin e projekteve që do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe krijimin e një planifikimi të duhur hapësinor, thuhet në njoftimin ministror.

Gjatë kësaj vizite zyrtare  ministrja Reshitaj  po merr pjesë në konferencën “Qeverisja e tokës në një botë të ndërlidhur”, e cila është bërë një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare në qeverisjen e tokës, duke tërhequr më mijëra  pjesëmarrës, qeveritarë, akademikë, shoqëri civile dhe përfaqësues të sektorit privat.

Në këtë konferencë ku në fokus është toka dhe varfëria,  janë paraqitur hulumtimet dhe praktikat e fundit për diversitetin e reformave, ndërhyrjet dhe inovacionet në sektorin e tokës në mbarë botën.

Në vazhdën e vizitës së saj, ministrja Reshitaj do të këtë takime të veçanta  edhe me përfaqësues të departamentit të shtetit amerikan, me përfaqësues të  lartë të USAID-ti dhe të MCC-së,  nga të cilët do të kërkojë përkrahje për projekte konkrete në fushën e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. /Lajmi.net/