Raporti i OSBE-ODHIR/ Reagon Kokëdhima: E dija çfarë do të ndodhte në këto zgjedhje

Kreu i Lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima, ka reaguar në rrjetet sociale menjëherë pas publikimit të raportit të OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet në Shqipëri.

Lajme

26/06/2017 22:22

Në postimin e tij në Facebook, Kokëdhima shkruan nuk kishte asnjë iluzion që Rilindja dhe PD-ja do të bënin zgjedhje me standarde, ndaj edhe kjo ishte arsyeja kryesore që nuk u fut në zgjedhjet parlamentare.

Sipas Kokëdhimës PS dhe PD nuk bëjnë dot dhe as nuk kanë vullnet që të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe pret që parlamenti i ri të zgjidhë përfundimisht problemin e zgjedhjeve në Shqipërisë.

“Zgjedhjet e 25 qershorit u bënë me dhjetra shkelje të rënda të ligjit dhe kushtetutës. Zgjedhjet e 25 qershorit janë të pabesueshme, të pandershme, të deformuara dhe jo të lira. Raporti i sotëm i OSBE/ODIHR-it do harrohet shpejt pas zgjedhjeve të ardhshme që do jenë si ato të 25 qershorit. PS dhe PD nuk bëjnë dot dhe as nuk kanë vullnet që të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme. Të dy partitë e mëdha e të vjetra, sa herë janë në pushtet vjedhin, trafikojnë, manipulojnë, blejnë e shesin votat në çdo palë zgjedhje! Zgjidhja pret që puna e parë e parlamentit të ri të jetë reforma zgjedhore dhe çdo masë tjetër që do të zgjidhte përfundimisht problemin e zgjedhjeve në Shqipëri” – thotë Kokëdhima.