Rakiq: Bahtiri në Bruksel e ka pranuar “Parkun e paqes” mbi urë

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar të dielën se prej Ministrisë së Administrimit Lokal në Prishtinë nuk ka marrë kurrfarë vërejtje për atë se vendosja e “Parkut të paqes” është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, me Marrëveshjen e Brukselit apo me ligjet e Kosovës.

Lajme

15/12/2014 08:26

Duke folur në lidhje me deklaratën e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, se së shpejti “Parku i paqes” do të largohet, Rakiq ka rikujtuar se Bahtiri, në muajin gusht në Bruksel, në praninë e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, ka siguruar se parku dhe as edhe një gjë tjetër nuk do të largohet nga ura, derisa nuk gjendet një marrëveshje të cilën do ta pranonin qytetarët e të dyja komunave, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Meqë këtë e ka harruar t’ua thoshte bashkëqytetarëve të vet, kur është kthyer në shtëpi, po e shfrytëzoj këtë rast që t’ia rikujtoj dhe t’i bëj thirrje që në vend të nxitjes së konflikteve – së bashku të kënaqemi duke zgjidhur problemet e qytetarëve”, ka thënë Rakiq.

Në njoftim thuhet se qëllimi i “Parkut të paqes” është shprehje e dëshirës që pika e cila i ka ndarë dy popuj në 15 vjetët e fundit në të ardhmen të jetë “vendi i takimit të tyre”, ka raportuar agjencia serbe Beta.

“Vazhdimi i bisedimeve të vështira dhe të ndjeshme që e presin Qeverinë në Beograd dhe Qeverinë e re në Kosovë nuk duhet të rëndohet edhe më shumë me një deklaratë nxitëse dhe të rrezikshme. Vështirë e kemi arritur edhe këtë paqe të brishtë. Është hequr barrikada nga ura kryesore tre vjet pasi që serbët e kanë vendosur aty nga frika për sigurinë e tyre”, ka thënë kryetari i Mitrovicës së Veriut.