Qyteza me më pak se 10 mijë banorë ruan fotot tuaja të Facebook

Qyteza ka më pak se 10 mijë banorë, por ngaqë Facebook ka ndërtuar aty bazën e parë të të dhënave, ku mbledh fotot e statuset tuaja, infrastruktura e qytetit është përshtatur me nevojat e kompanisë, duke bërë që edhe vendasit të gëzojnë internet tepër të shpejtë.

Auto & Tek

22/07/2016 01:12

Qyteza Prineville, në Oregon të SHBA-ve, është vendi ku Facebook ndërtoi qendrën e parë të të dhënave. Bëhet fjalë për ndërtesën me kompjuterë “server”, ku mblidhen fotot që hidhni në Facebook. Me këtë sallë lidhet që nga larg kompjuteri apo celulari juaj kur i shihni fotot.

Kur e hapi këtë qendër, Mark Zuckerberg mbase nuk e ka ditur që pas disa vitesh do t’i duhej të hapte disa të tjera nëpër Amerikë dhe nëpër botë, deri në Suedi. Sot, Facebook duhet të përballojë fluksin e 1.66 miliardë përdoruesve aktivë, pa përfshirë faqet “e fjetura”.

Kjo qendër ka rreth 136 punonjës dhe ka shërbyer si model për të gjitha qendrat e tjera. Ajo është gjithashtu vendi ku Facebook teston çdo aplikacion të ri, duke vënë në punë dhjetëra celularë njëherësh.

Zona ndodhet në shkretëtirë, ku temperatura në verë shkon shumë lart gjatë ditës dhe zbret shumë gjatë natës. Facebook përdorë ujë për ta ftohur ajrin që fut në dhomën e serverëve. Nëse ajri është shumë i ftohtë, e ngrohin me nxehtësinë që prodhojnë vetë kompjuterët.