Quni: Kandidatët e LDK-së janë përzgjedhur në bazë të kredibilitetit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka thënë se kandidatët për deputetë të kësaj partie janë përzgjedhur duke u bazuar në kriteret e LDK-së, e që sipas tij janë: moralit politik, arsimimit, ekspertizës së çdo kandidati dhe kredibilitetit.

Lajme

23/05/2017 09:03

Ai në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se prioritet e LDK-së pasi t’i fitojë zgjedhjet do të jenë krijimi i vendeve të reja të punës dhe sundimi i rendit dhe i ligjit.

Quni ka thënë se beson që Vjosa Osmani do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë.

“Besoj që po. Vlerësimin tim e kam shprehur edhe si anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe besoj që është trajtuar me konsideratë”, ka thënë Quni, duke folur për përfshirjen e Vjosa Osmanit. “T’ua përkujtoj vetëm që LDK-ja është parti me traditë dhe e vetmja që kultivon demokraci të lartë brenda saj”, ka shtuar ai.

Duke folur për listën që LDK-ja ka dorëzuar në KQZ me kandidatët e saj për deputetë, Quni ka thënë se kjo është listë e formuar në bazë të moralit politik dhe arsimimit.

“Lista e kandidatëve të LDK-së është përmbledhje e mundësive, nevojave, limiteve në numër, përfaqësimit të gjeneratave, barazisë gjinore, regjioneve dhe shumë faktorëve të tjerë. Kandidatët janë të përzgjedhur duke u bazuar në kriteret që LDK-ja i ka vendosur si standard, duke iu referuar moralit politik, arsimimit, ekspertizës së çdo kandidati dhe kredibilitetit të tyre në shoqërinë e gjerë kosovare”, ka thënë ish-deputeti i LDK-së, i cili po kërkon edhe një mandat si përfaqësues i popullit.