Qeveria nuk do të ngutet me emërimin e zëvendësministrave

Janë bërë tri javë nga formimi i Qeverisë së re, por ende nuk janë emëruar zëvendësministrat. Zyrtarët e LDK-së thonë se kjo nuk është çështje urgjente, ngase Qeveria po funksionon normalisht.

Lajme

27/12/2014 16:41

Nënkryetari i kësaj partie Haki Rugova thotë se kryeministri do t’i bëjë emërimet në mënyrë graduale, ndërsa mohoi të ketë mosmarrëveshje brenda partisë sa i përket zëvendësministrave. Sidoqoftë, ai nuk e mohon se do të ketë pakënaqësi. Opozita thotë se kjo qeveri nuk duhet të kompletohet, por të bjerë sa më shpejtë. 

Nuk u ka mjaftuar vonesa prej gjashtë muajsh e institucioneve të vendit, por partitë e koalicionit PDK-LDK vazhdojnë edhe më tej ta shtyjnë kompletimin e Qeverisë së Kosovës me zëvendësministra e me këshilltarë.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova thotë se nuk mund të konsiderohet vonesë kjo, ngase Qeveria po vazhdon punën e saj. Ai tha për Radio Kosovën se është në kompetencën e kryeministrit Isa Mustafa ta kompletojë Qeverinë në mënyrë graduale, ndërsa shtoi që në fillim të vitit Qeveria do të fillojë të punojë me kapacitete të plota.

“Qeveria nuk ka asnjë hendikep, ajo është duke punuar, posa ka filluar punën e saj dhe unë mendoj që në mënyrë graduale do të kompletohet qeveria me zëvendësministra dhe me staf tjetër në ministritë përkatëse, bazuar edhe në marrëveshjen e koalicionit që ekziston”, tha Rugova për Radio Kosovën.

Rugova mohon të jenë shkak i mosemërimit të zëvendësministrave mosmarrëveshjeve në LDK, por megjithatë pranon se pakënaqësi mund të ketë.

“Brenda LDK-së nuk ka asnjë lloj mosmarrëveshje. Normal që ka pretendentë të ndryshëm, ka njerëz të cilët e shohin veten të jenë në pozicione të ndryshme. Natyrisht që unë e di që nuk ka vend për të gjithë. Pakënaqësi do të ketë, është shumë normale, por pakënaqësitë janë çështje tona të brendshme partiake të cilat ne i zgjidhim me kohë”, tha Rugova.

Në Lëvizjen Vetëvendosje si subjekti më i madh opozitar, e shpërfillin qasjen e Qeverisë karshi emërimit të zëvendësministrave. Zëdhënësi Erzen Vraniqi tha se Vetëvendosje shpreson që kjo Qeveri mos të kompletohet fare, sepse është vazhdim i së keqes, efektet e parë të së cilës, po shihen me largimin masiv të qytetarëve nga Kosova.

Sa i përket numrit të zëvendësministrave, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova tha se ky numër do të jetë aq sa është e nevojshme. Në marrëveshjen PDK-LDK parashihet të emërohen së paku nga dy zëvendësministra, një nga LDK-ja e një nga PDK-ja, ndërsa në disa ministri do të jenë edhe nga tre zëvendësministra ku do të përfaqësohen pakicat.

Kosova ende nuk ka Ligj për Qeverinë e rrjedhimisht, kryeministri nuk kufizohet në numrin e ministrive dhe as të vartësve të tjerë të Qeverisë. Andaj Qeveria Mustafa është më e madhja që nga paslufta me gjithsej 21 ministra.