Qeveri të përkohshme për dalje nga ngërçi

Situata politike në vend, sipas analistit Leon Malazogu ka arritur në pikën alarmante dhe duhet vepruar shpejtë që vendi të nxirret nga kriza. Ai thotë se në këtë situatë zgjidhja më e mirë do të ishte, një marrëveshje politike për një qeveri të përkohshme e cila do të evitonte krizën buxhetore në vend dhe do të përgatiste zgjedhjet e reja. 

Lajme

05/11/2014 19:56

Malazogu në një intervistë për lajmi.net, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë garanci se do të kemi një zgjidhje, pasi ato mund të prodhojnë një shpërndarje të njëjtë të votave dhe seanca konstituive sërish do të mund të ngelte në gjysmë. Sipas tij, një zgjidhje e ndërmjetme do të ishte më e mirë, ku do të kishim një qeveri të përkohshme e cila do të bënte rebalancin e buxhetit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, që të mos ketë bllokadë të institucioneve dhe jetës në Kosovë.

Ai fajin për situatën aktuale politike, përveç politikanëve për të cilët thotë se interesin personal po e nxjerrin para atij qytetarë, e sheh edhe te Gjykata Kushtetuese. Malazogu vlerëson se Kushtetuesja nuk është dashur qa quaj të themeluar Kuvendin e Kosovës, nëse ai nuk arrin ta zgjedh kryesinë dhe kryetarin.

“Mendoj se nuk ka bazë juridike që Kuvendi i Kosovës të quhet i themeluar. Pra nuk kemi konstituim të Kuvendit. Ai mund të konstituohet vetëm kur të përfundojë seanca themeluese, dhe ky ngërç ku ne jemi në një mes të një seance të pakryer, nuk qëndron as politikisht e as juridikisht. Pra Kuvendi nuk është themeluar e as konstituuar e deputetët në këtë rast nuk do të duhej të gëzonin të drejtën për rroga. Pra duhet një interpretim i ri nga Gjykata Kushtetuese, ku institucionet do të kishin afat vetëm 30 ditë për t’u formuar, e në të kundërtën do të duhej të shpalleshin zgjedhjet ashtu siç është e paraparë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Malazogu për lajmi.net.

Liderët politik sipas Malazogut kanë treguar për mungesë të lidershipit, pasi ata kanë treguar se për interesa personale janë që gjendje të sakrifikojnë një popull të tërë. Malazogu thotë se Kosova e ka dhënë provimin për mbajtjen e zgjedhjeve që ka qenë një nga pikat e dobëta të vendit tonë, por ka dështuar, që si një vend sovran, nuk po mund të marr vendime të cilat janë shumë të rëndësishme shtetin.

Ndërsa në gjithë këtë situatë të rëndë politike, ai e sheh një të mirë. Malazogu thotë se kjo situatë koston e së cilës deri tani po e bartin qytetarët, në fund do të prodhojë efekt të kundërt, duke i dëmtuar vetë politikanët, të cilët po shihen përgjegjës. “Por nëse jo asgjë tjetër, kjo situatë në afatgjatë mund t’i sjellë diçka të mirë Kosovës, që qytetarët do të fillojnë të mendojnë për një gjeneratë të re të politikanëve të cilët do të shikojnë edhe interesin e vendit e jo vetëm interesin e tyre”.