Putini përzihet edhe në konfliktin e Jemenit

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin ka kërkuar “ndërprerje momentale të aktiviteteve ushtarake” në Jemen, gjatë një bisede telefonike me presidentin iranian, Hasan Rohani, njoftoi Kremlini.

Bota

26/03/2015 23:09

Grupi i rebelëve shiitë Huthi, i cili gëzon përkrahjen e Iranit, ka marrë kontrollin mbi një pjesë të madhe të Jemenit.

Konflikti sot është thelluar pasi Arabia Saudite ka kryer sulme ajrore mbi pozicionet e rebelëve, për çka Teherani ka protestuar.

Pos Iranit, ku dominojnë shiitët, kundër këtij intervenimi ajror është përcaktuar edhe lëvizja Hezbollah në Liban, që po ashtu përbëhet nga shiitët. Mirëpo, në anën tjetër, në botën arabe, por edhe më gjerë ky aksion i Arabisë Saudite, si dhe i disa vendeve tjera arabe, madje edhe Sudanit, është përkrahur.

Madje, Arabia Saudite thuhet se ka gati 150,000 ushtarë për luftime tokësore dhe se do t;i dërgojë në Jemen, pasi mendohet se vetëm me sulme ajrore nuk mund të mposhten rebelët e atjeshëm.