Pushteti në panik

Shpend Ahmeti është i pari kundërkandidat që komenton 'mallkimin' e Isa Mustafës. Sipas Ahmetit, pushteti në Prishtinë është në panik.

Lajme

28/10/2013 10:22

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, diskutoi për hallet dhe shqetësimet që kanë qytetarët e Sofalisë në një tubim parazgjedhor me banorët e kësaj lagjeje.

Sipas Ahmetit, ky pushtet dhe kjo qeverisje e ka sjellë Komunën në një gjendje të mjerueshme.

“Ish-kryetari që më herët na thoshte se nuk është përgjegjësi e Komunës në çështjen e ujit, ditë më parë në komunën e Lipjanit tha se furnizimi me ujë të pijshëm për 24 orë është e drejtë e qytetarëve të cilën Komuna duhet ta sigurojë”.

“Pra kur vije tek komunat tjera, ish-kryetari e sheh si të drejtë të pamohueshme furnizimin me ujë të pijshëm, por kur vije puna tek komuna që ai e ka qeverisur për 6 vjet, ai thotë se nuk ka ujë ngase SHIK’u e ka në dorë ujësjellësin”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se subjekti politik që ka udhëhequr Prishtinën për 14 vjet dhe Isa Mustafa janë në panik të madh, ngase, sipas tij, do ta marrin ndëshkimin e tyre me datën 3 nëntor.

“Ky panik po vërehet çdo ditë e më shumë dhe eskaloi në njërin nga fshatrat e Prishtinës, ku ish-kryetari tashmë ju tha qytetarëve: Zoti ju marroftë nëse nuk ma jepni votën”.

“Ky panik po vjen duke u rritur, ngase ndryshimi po është çdo ditë e më afër”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se nuk do të ndërrohet vetëm pushteti por edhe mendësia qeverisëse e deritanishme, që “i trajtonte qytetarët si shërbëtorë të pushtet dhe jo të kundërtën.”

Ai u bëri thirrje banorëve të Sofalisë për dalje sa më të madhe në zgjedhje, duke vlerësuar se vetëm përmes pjesëmarrjes masive, ndryshimi mund të ndodhë në formë më të plotë.